Elez Blakaj, ish-prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, i cili në vitin 2018 dha dorëheqje nga detyra dhe u largua drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tashmë është angazhuar në një fushë krejt tjetër profesionale.

Blakaj është bërë pjesë e agjencisë amerikane të patundshmërive JBGoodwin REALTORS, me seli dhe aktivitet kryesor në Teksas të SHBA-së, ku punon si agjent i patundshmërive.

Në profilin e tij në këtë agjenci, ai prezantohet me emrin “Eli Z.” dhe u drejtohet klientëve duke treguar për përvojën e tij të mëparshme në sektorin publik dhe në fushën e sundimit të ligjit.

Reklamë

“Përshëndetje dhe mirë se vini! Unë jam Elezi dhe do të jem i lumtur t’ju takoj dhe t’ju shërbej për të gjitha nevojat tuaja në fushën e patundshmërive! Para se të bëhesha agjent i patundshmërive, kam kaluar shumë vite duke shërbyer në sektorin publik, në fushën e sundimit të ligjit. Kam përfunduar Fakultetin Juridik dhe kam diplomë master në Drejtësi Penale nga Universiteti Wake Forest në Karolinën e Veriut. Pasionet e mia në jetë janë arti dhe sporti!”, thuhet në prezantimin e tij.

Në profil, Blakaj flet edhe për jetën familjare, duke bërë të ditur se është i martuar prej 20 vitesh dhe se me bashkëshorten ka dy fëmijë.

“Unë dhe bashkëshortja ime e mrekullueshme jemi të martuar të lumtur prej 20 vitesh dhe kemi dy fëmijë të mrekullueshëm. Familja jonë kënaqet duke kaluar kohë në natyrë, duke luajtur sporte të ndryshme, si dhe duke udhëtuar e vizituar vende të ndryshme!”, thuhet më tej në profilin e tij.

Sa i përket punës së re, Blakaj thotë se e vlerëson besimin që klientët ia japin dhe se synon t’ua tejkalojë pritshmëritë.

“Qoftë për shitjen, blerjen, dhënien me qira apo mundësitë e investimit në patundshmëri, do t’i vë në shërbimin tuaj përvojat e mia jetësore, vlerat dhe përkushtimin në punë, për t’ju udhëhequr gjatë gjithë procesit dhe për t’ju ofruar shërbim të ndershëm dhe profesional”, shkruan ai.

Reklamë

Në fund të prezantimit, ish-prokurori inkurajon klientët që ta kontaktojnë për çdo pyetje apo ndihmë që lidhet me patundshmëritë, duke publikuar edhe adresën elektronike dhe numrat e telefonit.

Elez Blakaj ishte larguar nga Prokuroria Speciale e Kosovës në vitin 2018, duke deklaruar se ishte përballur me presione dhe kërcënime gjatë ushtrimit të detyrës.

Gjatë punës së tij në Kosovë, ai ishte marrë me hetimin e disa rasteve të terrorizmit, si dhe me rastin e dyshimeve për manipulim të listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.