Shoferët po presin deri në 24 ditë për të kaluar kufijtë, ndërsa Washingtoni po ndërmerr hapa për të mbyllur rrugët tokësore tregtare në rajon
Trafiku përgjatë rrugëve kryesore tokësore tregtare drejt Iranit është pothuajse plotësisht i bllokuar, pasi një bllokadë detare amerikane e ka detyruar Teheranin t’i zëvendësojë transportet jetike detare me dërgesa në distanca të gjata përmes rrugëve tokësore dhe hekurudhave, shkruan Independent.
Në pikën kufitare Yalama, ndërmjet Kazakistanit dhe Uzbekistanit, pamjet filmike tregojnë rreth 1.200 kamionë që udhëtojnë drejt Iranit dhe lëvizin ngadalë në një kolonë prej 26 miljesh, në pritje të zhdoganimit.
Autoritetet lokale në rajon kanë raportuar një rritje pothuajse trefish të vëllimit ditor të transportit të mallrave përtej kufirit, krahasuar me nivelet e para luftës, ndërsa shoferët presin me ditë të tëra për të kaluar kufirin.
Që kur presidenti Donald Trump urdhëroi Marinën Amerikane të bllokonte portet iraniane në fillim të këtij viti, rruga kryesore detare e furnizimit të vendit me mallra me shumicë, kontejnerë dhe energji është ndërprerë kryesisht.
Trafiku tregtar përmes Ngushticës së Hormuzit mbetet rreth 65 për qind nën nivelet e para konfliktit, duke lënë qindra cisterna dhe anije mallrash të ankoruara jashtë Gjirit.
Kjo bllokadë detare është përshkallëzuar mes sulmeve gjithnjë e më të shpeshta në det.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare Detare, më shumë se 30 anije u sulmuan brenda dhe përreth kësaj rruge ujore në tetor – numri më i lartë mujor që nga fillimi i konfliktit në shkurt – ndërsa në tri javët e para të nëntorit u regjistruan të paktën 22 incidente të tjera.
Me rrugët detare kryesisht të mbyllura, importuesit iranianë janë detyruar të përdorin një numër të kufizuar korridorësh tokësorë, të cilët, siç pranojnë zyrtarët e tregtisë, nuk janë ndërtuar asnjëherë për të përballuar vëllime të tilla të transportit detar të mallrave.
Bllokimet që kanë rezultuar nga kjo situatë janë më të dukshme përgjatë tri rrugëve kryesore alternative, të paraqitura në hartën më poshtë.
Nga Kina përmes Azisë Qendrore:
Mallrat e transportuara nga Kina perëndimore tani duhet të kalojnë me rrugë tokësore dhe hekurudhore përmes Uzbekistanit dhe Turkmenistanit, përpara se të mbërrijnë në Iranin verior. Autoritetet lokale kanë raportuar se vëllimi ditor i transportit të mallrave përtej kufirit është pothuajse trefishuar krahasuar me nivelet e para luftës, duke bërë që mallrat që prishen shpejt të kalben në radhët e pritjes për zhdoganim.
Nga Perëndimi përmes Turqisë:
Në pikën kufitare Gürbulak–Bazargan – porta kryesore tokësore e Iranit për mallrat evropiane dhe turke – rritja e trafikut ka bërë që shoferët të presin deri në 24 ditë për të kaluar kufirin.
Nga Lindja përmes Pakistanit:
Një bllokim i ngjashëm i trafikut ka goditur pikën kufitare Rimdan, në kufirin me Pakistanin, pas kontrolleve më të rrepta, ndërsa Uashingtoni i ka bërë presion Bagdadit që të kufizojë kalimin e kamionëve tregtarë përgjatë kufirit të Iranit me Irakun.
Në përpjekje për ta shtuar edhe më tej presionin ekonomik, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) nisi Task Forcën Iron Gate në fillim të javës së kaluar – një njësi prej 20 personash, e ngarkuar me shënjestrimin e ngarkesave që transportohen përmes kufijve tokësorë të Iranit dhe Detit Kaspik.
Brenda Iranit, katërfishimi i kostove të transportit të mallrave dhe vonesat prej disa javësh në furnizime e kanë përkeqësuar krizën tashmë të rëndë të kostos së jetesës.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Iranit tregojnë se inflacioni në zonat urbane, i matur në bazë të ndryshimit të çmimeve nga viti në vit, është rritur për të 18-in muaj radhazi, duke arritur në rreth 84 për qind. Si pasojë, familjet po paguajnë pothuajse dyfishin e shumës që paguanin një vit më parë për mallrat bazë.
Çmimet e perimeve, bishtajoreve, produkteve të qumështit dhe qirave në zonat urbane janë rritur ndjeshëm, duke i nxitur autoritetet provinciale të vendosin kuota për miellin dhe bukën, mes mungesave të produkteve në disa zona.
Për sa kohë që tregtia mbetet e kufizuar nga bllokada, ekonomistët paralajmërojnë se Teherani do të përballet me pritje gjithnjë e më të gjata dhe rritje të mëtejshme të çmimeve të importeve.
