Një impiant kimik dhe një termocentral në qytetin e Nevinnomysskut, në rajonin e Stavropolit në Rusi, dyshohet se janë goditur nga sulme me dronë gjatë natës.
Lajmi bëhet i ditur nga kanali i pavarur rus në Telegram, “Astra”, i cili citon edhe njoftimet e autoriteteve lokale.
Guvernatori i rajonit të Stavropolit, Vladimir Vladimirov, konfirmoi se zona industriale e qytetit ishte sulmuar, por nuk dha detaje se cilat objekte janë goditur dhe nëse ka dëme.
Sipas mediave, një nga objektivat e mundshëm të sulmit është edhe uzina kimike Nevinnomysskij Azot, pjesë e grupit EuroChem. Ajo është një nga prodhuesit kryesorë të plehrave kimike në Rusi dhe, sipas ushtrisë ukrainase, furnizon edhe industrinë ushtarake ruse.
Kjo uzinë është goditur edhe më parë nga disa sulme me dronë. Në fund të vitit 2025, autoritetet ushtarake ukrainase morën përgjegjësinë për një prej këtyre operacioneve.
Deri më tani, nuk ka konfirmime të pavarura për dëmet e shkaktuara nga sulmi i fundit, apo nëse është ndërprerë puna në impiantin kimik dhe termocentralin.