Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi të mërkurën se Izraeli po përpiqet t’i tërheqë Shtetet e Bashkuara në një luftë tjetër, pasi një ministër izraelit pretendoi se Teherani po prodhon armë kimike.
“Ky nxitës lufte akuzon pa turp Iranin… se po zhvillon dhe fsheh armë të tilla të tmerrshme në fabrika farmaceutike. Qëllimi është tejet i guximshëm: të mashtrojë SHBA-në që të hyjë në një tjetër luftë në emër të tij”, shkroi ai në një deklaratë të postuar në platformën X.
Prej vitesh, Izraeli e akuzon Iranin se përpiqet të pajiset me armë bërthamore; megjithatë, të martën, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, pretendoi se Teherani po prodhon armë kimike dhe u zotua se do ta pengojë Iranin t’i sigurojë ato.
“Irani është në procesin e zhvillimit të armëve kimike, por ende nuk ka arritur kapacitetin për të sulmuar Izraelin me to”, ka thënë Katz në një deklaratë të publikuar nga partia e tij, Likud, në Telegram.
“Nuk duhet ta lejojmë këtë të vazhdojë”.
Por një aleat kyç i Gadi Eisenkotit – i cili synon postin e kryeministrit të Izraelit – deklaroi të mërkurën se nuk ka nevojë për një sulm të menjëhershëm ndaj Iranit, duke vënë në dyshim qëllimet e qeverisë në detyrë.
Avigdor Liberman u shpreh se kryeministri në detyrë, Benjamin Netanyahu, dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, kanë një “etje për pushtet” që i ka bërë “të humbasin gjykimin”.
“Deklaratat për armë kimike në duart e Iranit janë serioze, por nga pikëpamja e inteligjencës dhe ajo operacionale, nuk ka asnjë justifikim për një sulm të pavarur izraelit në afat të menjëhershëm”, shkroi Liberman në X.
Irani i ka hedhur poshtë pretendimet izraelite duke i quajtur propagandë; javën e kaluar, Araghchi i cilësoi si “broçkulla” pretendimet se Irani planifikon të përdorë armë kimike.