Gjykata e Apelit e Kosovës ka vërtetuar dënimet e shkallës së parë me burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit dhe Granit Plavës, si dhe dënimin me 30 vjet burgim ndaj Kushtrim Kokallës, për vrasjen e Liridona Ademaj, tri vite më parë, në nëntor të vitit 2023.
Në aktgjykimin e Apelit, përshkruhen detaje tronditëse për planin e vrasjes së Liridonës.
Pas qershorit të vitit 2022, kur është paguar polisa e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademaj me kompaninë Folksam në vlerë 3.000.000 kruna suedeze (afërsisht 267 mijë euro), i akuzuari Naim Murseli, të akuzuarit të tretë Kushtrim Kokallës “ia ka shpalosur planin e likuidimit të Liridonës, duke i kërkuar mundësi për vrasjen e saj, për çka fillimisht ai kishte refuzuar e më pas ia ka gjetur Granit Plavën, ku të tret janë dakorduar që Graniti ta kryej vrasjen që Naimi t’ia paguaj 30 mijë euro”.
Naim Murseli, gjithnjë sipas aktgjykimit, ka siguruar armën e zjarrit, pistoletën e markës “Zastava” me 20 fishekë, të blerë nga i pandehuri i katërt Tom Dodaj, në shumë prej 280 euro, të cilën armë ia ka dhënë të pandehurit të dytë Granit Plavës, i cili armën e përmendur e ka përdorur për vrasjen e tani të ndjerës Liridona Ademaj, që e ka kryer të njëjtën ditë, në orët e mbrëmjes, në intervalin kohor prej orës 20:11 deri në ora 20:18.
Në aktgjykim përshkruhet se në vendin për të cilin është dakorduar me të akuzuarin Naim, të cilin e kanë inskenuar që të duket si grabitje ndërsa i akuzuari Naim, në mënyrë dinake, me dorën e tij të djathtë, ka mbajtur Liridonën në krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo mos t’i shmanget plumbit, pas çka i akuzuari Naim, me fëmijët ka dal nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”, pastaj, në vazhdim, përkitazi me të akuzuarin Granit Plava, vazhdohet me konstatimin se: “është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se, i akuzuari Granit Plava, me datë 29.11.2023 në intervalin kohor prej orës 20:11 deri 20:18, në fshatin Bërnicë, në rrugën “Dalip Alshiqi” lagjia “Chelsea Point” Komuna e Prishtinës, pas marrëveshjes paraprake, me të akuzuarin e parë Naim Murseli, ashtu që, pasi, i akuzuari i parë Naim Murseli, me veturën e markës “BMV” me targat e Suedisë në të cilën ende kanë qenë tani e ndjera Liridona Ademaj dhe fëmijët e tyre të moshës 4 dhe 6 vjeç, i ka dhënë shenjë me dritat të veturës të akuzuarit të dytë Granit Plavës, ai befasisht ka dalë përpara veturës me maskë në kokë dhe pistoletë në duar, derisa i akuzuari i parë Naim Murseli, ka ndaluar dhe ka fikur motorin e veturës dhe me dorën e tij ka mbajtur Liridonën…
