Ndryshime të mëdha kanë ndodhur në Stacionin e Autobusëve.

Shkarkimi i aksionarëve, largimi i bordit të drejtuar nga djali i Lahi Brahimajt dhe emërimi i strukturave të reja përfunduan me zgjedhjen e Dhurata Bekteshit në krye të Stacionit të Autobusëve. Në garë ishte edhe Ajrina Gashi Hamdiu, e cila vetëm disa javë para konkursit ishte anëtarësuar në AAK, në një kohë kur, siç raporton mediumi, priste përkrahjen e kësaj partie për t’u zgjedhur në pozitën e kryeshefes.

Ndërmarrja publike “Stacioni i Autobusëve” në Prishtinë më në fund ka kryeshefe të re. Dhurata Bekteshi është përzgjedhur në krye të kësaj ndërmarrjeje, pas një procesi që u shoqërua me ndryshime të mëdha në strukturat drejtuese dhe zhvillime me prapavijë të theksuar politike.

Reklamë

Por, pas emërimit të kryeshefes së re, fshihet një histori më e gjerë se sa një konkurs i zakonshëm pune, shkruan Periskopi.

Më 25 shtator 2026, në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës, u votuan ndryshimet në përfaqësimin e aksionarëve të ndërmarrjeve publike, përfshirë edhe Stacionin e Autobusëve.

Në këtë proces u larguan nga përfaqësimi Kreshnik Smajlaj, kryetar i degës së AAK-së në Prishtinë, dhe Shkëlqim Osmanaj.

Në strukturën e re u përfshinë Driton Bardheci, drejtor i Administratës në Komunën e Prishtinës, dhe Yll Bogaj, asambleist i pavarur.

Ndryshimet vazhduan edhe në bordin e ndërmarrjes. Struktura e re e aksionarëve menjëherë ndërmori shkarkimin e bordit të drejtuar nga Shaban Brahimaj, djali i ish-deputetit të AAK-së, Lahi Brahimaj, duke përcaktuar më pas një bord të përkohshëm.

Reklamë

Kështu, një ndërmarrje që deri atëherë drejtohej nga struktura të lidhura me përfaqësues të AAK-së, kaloi në një konfigurim të ri drejtues.

Një nga zhvillimet më interesante të këtij procesi lidhet me kandidaturën e Ajrina Gashi Hamdiut, nënkryetares së parë të degës së AAK-së në Prishtinë dhe ish-anëtares së bordit të KOSTT-it. E njëjta u bë e njohur pas raportimeve të saj për ngacmim seksual nga ish kryeshefi ekzekutiv i KOST mirëpo prokuroria i kishte hedhur poshtë pretendimet e saj në mungesë të provave!

Më 2 shtator 2026, gjatë një tubimi të Aleancës, Gashi Hamdiu iu bashkua zyrtarisht kësaj partie. Anëtarësimi i saj ndodhi në një periudhë kur ishte aktuale gara për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Stacionit të Autobusëve.

Siç raporton mediumi, aderimi i saj në Aleancë ishte shoqëruar edhe me pritjen për përkrahje politike nga kjo parti në garën për t’u zgjedhur kryeshefe e ndërmarrjes. Megjithatë, në këtë post u përzgjodh Dhurata Bekteshi, e cila deri atëherë kishte qenë zyrtare e lartë në Drejtorinë e Parqeve të Komunës së Prishtinës.

Reklamë

Në garë, përveç tyre, ishte edhe Shpend Bilalli, ish-kryeshef i Pallatit të Rinisë dhe aksionar në ndërmarrjen “Pastrimi”, si dhe Bislim Hajdari.

Pra, një anëtare e re e Aleancës, siç raporton mediumi, priste mbështetjen e kësaj partie për pozitën e kryeshefes, përfundoi pa u zgjedhur, ndërsa pozita iu besua një kandidateje tjetër.

Ndryshimet në Stacionin e Autobusëve janë vetëm një pjesë e zhvillimeve brenda AAK-së në Prishtinë.

Aktualisht, në grupin e asambleistëve të Aleancës në Kuvendin Komunal të Prishtinës kanë mbetur vetëm kryetari i degës, Kreshnik Smajlaj, dhe asambleisti Betim Abdullahu, i cili më herët kishte qenë pjesë e listës “Lidhja për Prishtinën” dhe më pas iu bashkua grupit të AAK-së. Abdullahu është gjithashtu aksionar në ndërmarrjen “Prishtina Parking”.

Reklamë

Ndërkohë, katër asambleistë të tjerë janë larguar nga grupi i Aleancës, duke krijuar grupin e pavarur “Prishtina+” dhe duke u bërë pjesë e koalicionit me Përparim Ramën. Në këtë konfigurim përfaqësim në ekzekutivin komunal ka edhe përmes drejtorit të Administratës, Driton Bardheci.

Por, një tjetër paqartësi mbetet në raportet e AAK-së me qeverisjen e Përparim Ramës.

Përkundër faktit se AAK-ja vazhdon të ketë dy drejtorë në ekzekutivin komunal, Brahim Mehmetajn, drejtor të Pronës, dhe Rrezarta Aliun, drejtoreshë të Turizmit, pozicionimi politik i partisë në raport me koalicionin mbetet i paqartë.

Që nga muaji shtator, pas ndryshimeve në përfaqësimin e aksionarëve të Stacionit të Autobusëve, dy asambleistët që përfaqësojnë AAK-në kanë votuar kundër propozimeve të ekzekutivit komunal, sipas mediumit.

Reklamë

Një tjetër emërim që meriton vëmendje është ai i Kushtrim Mushicës, ish-drejtor i Drejtorisë së Sportit në Komunën e Prishtinës dhe nënkryetar i dytë i degës së AAK-së në kryeqytet.

Siç raporton mediumi , Mushica është emëruar muaj më parë në pozitën e Zyrtarit Kryesor Financiar (ZKF), pa ndonjë njoftim të veçantë publik për këtë emërim.

Mushica, i cili në karrierën e tij publike është njohur kryesisht si sportist dhe drejtues në sektorin e sportit, tashmë mban një funksion me përgjegjësi të rëndësishme financiare.

Emërimi i tij ngre pyetje për kualifikimet, përvojën profesionale dhe kriteret e përdorura gjatë përzgjedhjes për këtë pozitë, çështje për të cilat do të ishte me interes që institucionet përkatëse të japin sqarime.

I gjithë ky rikonfigurim i strukturave drejtuese po ndodh në një kohë kur Stacioni i Autobusëve është përballur me kritika të vazhdueshme publike për mungesë të rezultateve dhe performancë të pakënaqshme.

Tashmë, me Dhurata Bekteshin në krye dhe me strukturat e reja drejtuese, mbetet të shihet nëse ndryshimet do të reflektohen në menaxhim më të mirë, shërbime më cilësore dhe rezultate konkrete për qytetarët.

Stacioni i Autobusëve tashmë ka kryeshefe të re.