Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se avancimi i këtij procesi tashmë është urgjent.

Pas pjesëmarrjes në Samitin e gjashtë të Planit të Rritjes, që u mbajt në Tiranë, Kurti ka bërë të ditur se bashkë me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, përfaqësuesit e vendeve të rajonit dhe komisioneren e BE-së, Marta Kos, kanë diskutuar për reformat dhe integrimin gradual në Tregun e Vetëm Evropian.

Kurti ka theksuar se zgjedhjet e përsëritura në Kosovë kishin ngadalësuar ritmin e reformave, por sipas tij, me stabilitetin e plotë institucional, tashmë është përshpejtuar dinamika e zbatimit të tyre.

Reklamë

Ai është zotuar se Qeveria do t’i përmbushë të gjitha reformat e kërkuara, përfshirë edhe ato për të cilat Kosova ka humbur mundësinë e përfitimit të fondeve evropiane.

“Reformat janë detyrë e jona kombëtare dhe evropiane”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i Qeverisë ka folur edhe për bashkëpunimin rajonal, duke theksuar se Kosova i ka ratifikuar të pesë marrëveshjet e mobilitetit, ndërsa Serbia, sipas tij, ende nuk i njeh diplomat e Kosovës.

Ai ka kërkuar që bashkëpunimi rajonal të mos pengohet nga bllokadat dhe ka propozuar që vendet që zbatojnë më shumë marrëveshjet e dakorduara të përfitojnë më shumë nga fondet e Bashkimit Evropian.

Në fund, Kurti ka përsëritur kërkesën e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Reklamë

“Kërkesën për statusin e kandidatit dhe çeljen e negociatave e bëj në çdo takim, sepse qytetarët tanë e mbështesin BE-në dhe i besojnë asaj ndër më së shumti në rajon. Kosova e ka fituar këtë hap me meritë. Ka qenë gjithmonë e rëndësishme, tani është urgjente”, ka shkruar Kurti.