Porsche po i afrohet përfundimit të zhvillimit të modelit të ri 718 Boxster, i cili për herë të parë do të jetë plotësisht elektrik. Prodhuesi gjerman ka përfunduar një program të gjerë testimesh, ndërsa prezantimi botëror i veturës pritet të mbahet në tremujorin e parë të vitit 2027.
Gjatë zhvillimit, prototipat kanë përshkuar rreth katër milionë kilometra në më shumë se 20 shtete, duke u testuar në kushte të ndryshme klimatike dhe terrene të vështira.
Testimet janë zhvilluar në temperatura nga minus 30 gradë Celsius në Suedi, deri në 51 gradë Celsius në Luginën e Vdekjes në Shtetet e Bashkuara. Inxhinierët kanë provuar gjithashtu sistemet e drejtimit, asistencës dhe karikimit në qytete të mëdha, përfshirë Las Vegasin, Los Anxhelosin dhe Shangain.
Një prej risive kryesore të modelit të ri është arkitektura elektrike “E-Core”, e cila mundëson vendosjen e baterisë prapa ulëseve, në hapësirën ku tradicionalisht gjendet motori me djegie të brendshme.
Ky konfigurim synon të ruajë karakteristikat sportive të Boxsterit, duke mundësuar një qendër të ulët të gravitetit dhe shpërndarje të peshës në raportin 40:60 ndërmjet boshtit të përparmë dhe atij të pasëm.
Porsche ka bërë të ditur se versioni më i fuqishëm i modelit të ri do të përshpejtojë nga zero në 100 kilometra në orë për më pak se tri sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale do të kalojë 250 kilometra në orë. Të gjitha versionet do të kenë tërheqje në rrotat e pasme.
Modeli do të pajiset edhe me sistemin “E-Shift”, i cili simulon funksionimin e një kambie automatike PDK me shtatë shpejtësi. Shoferët do të kenë mundësi të zgjedhin ndërrimin automatik ose manual përmes levave në timon.
Përveç kësaj, sistemi do të riprodhojë tingullin karakteristik të motorit boxer me gjashtë cilindra, duke synuar të ruajë një pjesë të përvojës tradicionale të drejtimit të veturave sportive Porsche.
Sipas kompanisë, zhvillimi i modelit të ri është në fazën përfundimtare. Prodhimi do të bëhet në fabrikën e Porsche në Shtutgart-Zuffenhausen të Gjermanisë.
Me këtë model, Porsche synon të dëshmojë se kalimi në teknologjinë elektrike mund të ruajë performancën dhe karakterin sportiv të një veture dypersonëshe.
