Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Sabri Xhigoli, ka dhënë dorëheqje pas rastit që ka ndodhur dje në gjimnazin “Hivzi Sylejmani”.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se kërkesat e kryetarit të Fushë Kosovës, Valon Prebeza, ndaj stafit të kësaj shkolle kanë qenë të pa arsyeshme.
Ai ka thënë se e vlerëson shumë stafin e kësaj shkolle.
“E kam dhënë dorëheqjen, por kam dhënë për shkak të situatës së djeshme. Dje ishte njëra nga arsyet që kam dhënë. Unë e vlerësoj shumë stafin e “Hivzi Sylejmanit”. Shumë . është kërkuar dorëheqja sikur ka munguar mësimdhënësit dhe nxënësit dje. Por kjo nuk është bërë nën patronatin e drejtorisë së arsimit por të kulturës”, ka thënë ai.
Gjatë shënimit të ceremonisë për nder të 28 Nëntorit, kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebeza, i ka kërkuar atij të marrë masa ndaj drejtorit të këtij gjimnazi dhe stafit të cilin nuk ishin prezent në këtë ceremoni.
“Siç po e vëreni në këtë manifest, salla nuk është e mbushur plot. Konsideroj se gjithë kolektivi që gjendet në këtë shkollë, e që duhet të jetë një numër i caktuar, mospjesëmarrja e tyre është bojkot në këtë datë të madhe të historisë së popullit shqiptar. Nga kjo foltore kërkoj dorëheqjen e drejtorit të kësaj shkolle dhe vërejtje për gjithë personelin e kësaj shkolle. Sepse bojkotimi i kësaj date është fatkeqësi, është dështim dhe është nënçim për të gjithë këta këtu”, ka thënë Prebreza.
Nga foltorja e manifestimit, Prebreza i është drejtuar drejtorit komunal të Arsimit, duke i kërkuar ndërmarrjen e masave ndaj personelit të shkollës.
“Dorëheqje mendoj se nuk mjafton, drejtorin e Drejtorisë së Arsimit po e shoh atje. Të lutem drejtor t’i marrësh përgjegjësitë dhe të gjitha masat për këto mungesa të paarsyeshme dhe të panevojshme, të cilat institucionin e komunës dhe gjithë të pranishmit këtu i kanë nënçmuar”, ka thënë ai.
Ligji i Punës në Kosovë e lidh përgjegjësinë disiplinore me mospërmbushjen me faj të detyrimeve të punës nga secili punonjës, e jo me vlerësimin e përgjithshëm të kryetarit të Komunës për një kolektiv.