Sikur Komuna e Fushë Kosovës të ishte mbretëria e tij dhe vullneti personal të kishte fuqinë e ligjit, kryetari i komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza ka kërkuar publikisht dorëheqjen e drejtorit të gjimnazit “Hivzi Sylejmani” dhe ndëshkimin e gjithë personelit të kësaj shkolle.
Shkas për këtë është bërë fakti se salla ku komuna kishte organizuar manifestimin për nder të 28 Nëntorit nuk ishte mbushur plot. Prebreza e ka interpretuar mospjesëmarrjen e personelit të shkollës si bojkot të festës kombëtare dhe, mbi bazën e këtij vlerësimi, ka kërkuar marrjen e masave ndëshkuese, pa përmendur asnjë dispozitë ligjore që pretendohet se është shkelur.
“Siç po e vëreni në këtë manifest, salla nuk është e mbushur plot. Konsideroj se gjithë kolektivi që gjendet në këtë shkollë, e që duhet të jetë një numër i caktuar, mospjesëmarrja e tyre është bojkot në këtë datë të madhe të historisë së popullit shqiptar. Nga kjo foltore kërkoj dorëheqjen e drejtorit të kësaj shkolle dhe vërejtje për gjithë personelin e kësaj shkolle. Sepse bojkotimi i kësaj date është fatkeqësi, është dështim dhe është nënçim për të gjithë këta këtu”, ka thënë Prebreza, raporton Nacionale.
Por, për kryetarin e Fushë Kosovës, as dorëheqja e drejtorit nuk duket të jetë e mjaftueshme.
Nga foltorja e manifestimit, ai i është drejtuar drejtorit komunal të Arsimit, duke i kërkuar ndërmarrjen e masave ndaj personelit të shkollës.
“Dorëheqje mendoj se nuk mjafton, drejtorin e Drejtorisë së Arsimit po e shoh atje. Të lutem drejtor t’i marrësh përgjegjësitë dhe të gjitha masat për këto mungesa të paarsyeshme dhe të panevojshme, të cilat institucionin e komunës dhe gjithë të pranishmit këtu i kanë nënçmuar”, ka thënë ai.
Çfarë thotë ligji?
Në asnjërën prej këtyre deklaratave, Prebreza nuk ka përmendur ndonjë vendim që e obligonte personelin e shkollës të merrte pjesë në manifestim, e as ndonjë dispozitë ligjore mbi bazën e së cilës po kërkonte largimin e drejtorit dhe ndëshkimin e punonjësve.
Në fakt, ndryshe nga drejtorët e drejtorive komunale, të cilët kryetari i emëron dhe i shkarkon, drejtorët e shkollave nuk janë të emëruar politikë.
Ata kanë mandat katërvjeçar, ndërsa kushtet për largimin e tyre nga detyra janë të përcaktuara me Rregulloren e Qeverisë së Kosovës Nr. 19/2024.
Mospjesëmarrja në një manifestim të organizuar nga komuna nuk figuron si shkak i veçantë për shkarkimin e një drejtori të shkollës.
Edhe kërkesa e Prebrezës për ndëshkimin e gjithë kolektivit të shkollës ngre pikëpyetje ligjore. Ligji i Punës në Kosovë e lidh përgjegjësinë disiplinore me mospërmbushjen me faj të detyrimeve të punës nga secili punonjës, e jo me vlerësimin e përgjithshëm të kryetarit për një kolektiv.
Pa sqaruar nëse pjesëmarrja ishte e detyrueshme, pa përcaktuar se kush kishte munguar me arsye e kush pa arsye dhe pa bërë të ditur nëse ishte konstatuar ndonjë shkelje, Prebreza ka kërkuar publikisht ndëshkimin e të gjithë personelit.
Kryetari, në fakt, e ka cilësuar mospjesëmarrjen në manifestimin e organizuar nga komuna si bojkot të vetë festës së 28 Nëntorit, ndonëse mospjesëmarrja në një ceremoni të caktuar nuk nënkupton domosdoshmërisht bojkotimin e festës kombëtare.
Pavarësisht kompetencave që gëzon si kryetar, Prebreza nuk mund ta shndërrojë interpretimin e tij personal në bazë për ndëshkimin e punonjësve të institucioneve publike.
Mandati i fituar në zgjedhje i jep kryetarit të drejtën për të qeverisur komunën në përputhje me ligjin, jo të drejtën për të vendosur se çfarë përbën shkelje disiplinore sipas bindjeve të tij personale. /Reporteri.net