×
  • Lajme
  • Botë

    Britania nderon dëshmorët, dy minuta heshtje për të rënët në luftërat botërore

    Reporteri
    10 Nëntor 2019 | 19:39

    Mbretëria e Bashkuar shënoi të dielën 100 vite nga nderimi i parë i dëshmorëve në luftërat botërore. Ceremonitë u ndoqën nga familja mbretërore dhe politikanë të mbledhur përpara memorialit të luftës në Londër.


    Miliona qytetarë nga mbarë Mbretëria e Bashkuar kanë nderuar dëshmorët e vendit të vrarë në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore.

    Përkujtimet u mbajtën para monumentit të të rënëve në kryeqytet, nën drejtimin e familjes mbretërore, politikanëve, liderëve të komuniteteve besimtare dhe mijëra veteranëve e ushtarakëve.

    Me tingujt e Orës së Londrës në orën 11 paradite u numëruan dy minuta heshtje, njësoj si më 11 nëntor 100 viteve më parë në ditën e armëpushimit.

    Princi Çarls vendosi dy kurora me lule edhe në emër të mbretëreshës Elizabeta e Dytë, e cila ndiqte ceremoninë nga ballkoni e veshur me të zeza, së bashku me dukeshat e saj.

    Edhe kryeministri Boris Johnson dhe rivali laburist Jeremy Corbyn u shkëputën nga fushata elektorale për t’u bërë nder dëshmorëve të luftës.

    Reflektimi për të vrarët në konfliktet e shkuara dhe të tanishme nisi dhe mbaroi me shtirjen e armëve nga artiljerët e mbretërisë.

    Ceremoni të ngjashme u mbajtën edhe në qytete të tjera të vendit e deri në Hong-Kong, qyteti gjysmautonom kinez që deri në vitin 1997 qeverisej si koloni nga britanikët.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!