Aktivistja e famshme suedeze për mbrojtjen e klimës tha se do ta refuzonte një takim të mundshëm me presidentin amerikan, Donald Trump, sepse, sipas saj, një gjë e tillë do të ishte humbje kohe.
Gjatë intervistës për një emision të BBC-së në radio, ajo e kritikoi haptazi presidentin amerikan, duke thënë: “Ai qartazi nuk është duke i dëgjuar shkencëtarët dhe ekspertët. Prandaj, pse do të më dëgjonte mua?”
Presidenti Trump është akuzuar për ngacmim të zonjushës Thunberg pasi ajo u zgjodh person i vitit nga revista “Time”, kur kishte thënë se adoleshentja suedeze ka problem me menaxhimin e zemërimit dhe se duhet të relaksohet.
E pyetur për këto sulme kundër saj, Greta tha: “Ato sulme janë thjesht qesharake. Ato nuk kanë ndonjë kuptim. Kuptohet që ata janë të tmerruar nga të rinjtë që po e sjellin ndryshimin. Ata nuk e duan këtë. Ata na shohin si një lloj kërcënimi.”
Në anën tjetër, babai i Gretës, Svante, tha se në fillim kishte menduar që qëndrimi i vajzës së tij në “vijën e frontit” kundër ndryshimeve klimatike ishte një ide e keqe. Sidoqoftë, ai tha se përfshirja e vajzës në aktivitete botërore e ndihmoi që ta mposhtë depresionin që e kishte në fillim.
Ai gjithashtu tha se Greta nuk hante dhe nuk fliste me askënd për tre muaj në vitin 2016 dhe refuzonte të shkonte në shkollë, shkruan “Daily Mail”