Policia ka bërë të ditur se një protestues është shoqëruar në stacion policor, pasi dyshohet se ka poseduar dhe ka hedhur mjete piroteknike në drejtim të objekteve shtetërore.
Në njoftimin e Policisë thuhet se, gjatë protestës së sotme para Kuvendit të Kosovës, persona të caktuar kanë tentuar të futen brenda rrethojave të Kuvendit dhe kanë hedhur mjete të ndryshme dhe mjete piroteknike drejt objekteve shtetërore.
“Edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme të zyrtarëve policorë që të protestohet në mënyrë të qetë, Policia e Kosovës është detyruar të marrë masa ndaj një protestuesi i cili dyshohet se ka poseduar dhe ka hedhur mjete piroteknike në drejtim të objekteve shtetërore, të cilin e ka shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Më herët, Reporteri.net raportoi se personi i arrestuar është F. Rushiti dhe se ai dyshohet për dëmtimin e pronës, konkretisht për thyerjen e xhamit të Kuvendit.
Sipas të dhënave të siguruara nga Reporteri.net, Rushiti figuron i dyshuar edhe në raste të tjera, përfshirë lëndim të rëndë trupor, kanosje, mbajtje në pronësi ose kontroll të paautorizuar të armës, lëndim të lehtë trupor, dhunë në familje dhe vjedhje.
Ndërkohë, Policia ka apeluar te protestuesit që të protestojnë në mënyrë të qetë, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjin.
Protesta para Kuvendit po vazhdon lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe në pritje të votimit të ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara.