Një burrë që dyshohet se grabiti një farmaci në Filadelfia, përkundër aktit të tij të keq, la një shënim, ku tregoi se po e bën këtë për t’i dalë në ndihmë fëmijës së tij të sëmurë.
Në videon e publikuar nga policia e Filadelfias, i dyshuari, i veshur me një kapelë dhe doreza të errëta, hyri në një farmaci, më datën 3 janar dhe mori dhe nga aty një artikull.
Punonjësi i dyqanit mund të shihet duke skanuar artikullin në fjalë dhe duke e vendosur atë në një qese plastike.
Pastaj, sipas deklaratës së policisë, burri u dorëzoi një shënim punonjësve ku ndër të tjera thuhej: “Më jepni të gjitha paratë. Më vjen keq, kam një fëmijë të sëmurë. I keni 15 sekonda kohë”.
I dyshuari pastaj mbushi xhepat me para dhe u largua nga aty. Ai nuk i tregoi ndonjë armë punonjësit të farmacisë gjatë grabitjes, konfirmuan për CNN nga policia e Filadelfias.
Policia ende nuk e ka identifikuar të dyshuarin. Ai është përshkruar si një njeri me ngjyrë, midis 30 dhe 40 vjeç.
Kjo grabitje është e ngjashme me një tjetër që kishte ndodhur në këtë zonë muaj më parë./Reporteri.net