Kalo te përmbajtja
Reklamë

Instant

Gashi jep dorëheqje nga të gjitha pozitat në LDK, shkak mosvotimi për Specialen

Reporteri 5 min lexim

Xhafer Gashi ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në Lidhjen Demokratike të Kosovës pasi kjo parti gjatë ditës së sotme nuk i votoi në lexim të parë ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale.

Gashi ka thënë se nuk mund t’i mbaj këto pozita kur qëndrimi për këtë çështje bie ndesh me përgjegjësinë që ndjen ndaj njerëzve që përfaqëson.

Ai ka thënë se ka dhënë dorëheqje nga pozitat si: Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, Anëtar i Kryesisë dhe kryetar i degës së LDK-së në Obiliq.

Reklamë

“Sot duhet ta vendosim atdheun përpara vetes dhe interesave të ngushta partiake. Nuk mund t’i mbaj pozitat e mia në parti kur qëndrimi i saj për këtë çështje bie ndesh me ndërgjegjen time dhe me përgjegjësinë që ndiej ndaj njerëzve që përfaqësoj. Heshtja ime do të rëndonte më shumë se largimi. Prandaj, jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat e mia në Lidhjen Demokratike të Kosovës: Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm; Anëtar i Kryesisë; Kryetar i Degës së LDK-së në Obiliq”, ka thënë Gashi në njoftimin e tij në Facebook në lidhje me këtë çështje.

Njoftimi i plotë: 

ATDHEU PËRPARA VETES
Të dashur anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Të nderuar qytetarë të Obiliqit dhe të Kosovës,
Së bashku me grupin e asamblistëve të LDK-së ju njoftojmë se;

Ka çaste kur njeriu duhet të ndalet përballë ndërgjegjes së vet dhe të vendosë çfarë do të mbajë me vete: pozitën apo besnikërinë ndaj idealit që ia ka prirë jetës. Sot, për mua, është një çast i tillë.

Mosvotimi nga LDK-ja i ligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara ka shkaktuar indinjatë të thellë tek anëtarësia e Degës së LDK-së në Obiliq, përfshirë grupin tonë të asambleistëve. Këtë dhimbje dhe indinjatë e ndaj edhe unë. Si kryetar i Degës, e ndiej për detyrë t’i përgjigjem me qëndrim të qartë dhe me përgjegjësi personale.

Reklamë

Rrugëtimi im për lirinë e Kosovës nisi në vitet e veprimtarisë ilegale, kur fjala për liri thuhej me rrezik dhe dashuria për atdheun sprovohej me përndjekje. Ideali që mishëronin Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia mbetet i gjallë në ndërgjegjen time. Emrat e tyre na kujtojnë çmimin që paguan njerëzit tanë që Kosova të mund të merrte frymë e lirë.

Në luftë, pranë ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi, dhe më pas si pjesëtar i Komandës së Përparuar, Grupit Operativ III dhe Brigadës 138 “Agim Ramadani”, bashkë me Rrustem Berishën, Agim Ramadanin, Sali Çekajn, Anton Qunin, Xhemajl Fetahajn dhe bashkëluftëtarë të tjerë, përgjegjësia ndaj atdheut mori peshën e jetës. Në ato ditë, kur nuk e dinim nëse do ta shihnim agimin tjetër, besonim se sakrifica jonë do t’u hapte rrugë brezave që do të vinin.

Sot, sa herë shoh të rinjtë e lindur në Kosovën e lirë, kujtoj ata që nuk u kthyen për ta parë këtë ditë. Kujtoj familjet që ende ruajnë një fotografi, një kujtim dhe një mungesë që nuk mbushet. Përballë tyre, çdo pozitë që mbajmë na ngarkon me detyrimin për të qenë të denjë për besimin dhe sakrificën e tyre.

Këtë përgjegjësi jam përpjekur ta mbaj edhe në paqe, gjatë shërbimit institucional dhe viteve të drejtimit të Komunës së Obiliqit. Besimi i qytetarëve më ka dhënë forcë, por edhe më ka kujtuar gjithmonë se detyra publike ka kuptim vetëm kur i shërben vendit dhe njerëzve të tij.

Reklamë

Për mua, mbrojtja e dinjitetit të luftës çlirimtare dhe kërkesa për drejtësi janë përgjegjësi që tejkalojnë kufijtë partiakë. Në një çështje kaq të rëndësishme për Kosovën, përfaqësuesit tanë duhet ta dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe ta ndiejnë peshën e shqetësimit të tyre.

Ky qëndrim nuk e përjashton dhe as e zbeh bindjen dhe besimin tim se drejtësia duhet të ngadhënjejë. Secili duhet të mbajë përgjegjësi personale për veprimet e veta, për të kaluarën dhe për të ardhmen. Përgjegjësia duhet të përcaktohet individualisht, mbi prova dhe në një proces të paanshëm, e jo në një proces ndaj të cilit janë bërë publike aq shumë dyshime të bazuara se është një proces politik, i drejtuar tërësisht kundër UÇK-së dhe vlerave që ajo përfaqëson për lirinë e vendit tonë.

Sot duhet ta vendosim atdheun përpara vetes dhe interesave të ngushta partiake. Nuk mund t’i mbaj pozitat e mia në parti kur qëndrimi i saj për këtë çështje bie ndesh me ndërgjegjen time dhe me përgjegjësinë që ndiej ndaj njerëzve që përfaqësoj. Heshtja ime do të rëndonte më shumë se largimi.

Prandaj, jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat e mia në Lidhjen Demokratike të Kosovës:
– Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm;
– Anëtar i Kryesisë;
– Kryetar i Degës së LDK-së në Obiliq.

Reklamë

Këtë vendim e marr personalisht, me vetëdije dhe përgjegjësi të plotë. Secili bashkëpunëtor dhe anëtar i Degës ka të drejtën të vendosë sipas ndërgjegjes së vet.

Falënderoj familjen time, që ka ndarë me mua barrën e mungesave, shqetësimeve dhe sakrificave ndër vite. Mbështetja e saj më ka mbajtur në këmbë në ditët më të vështira dhe më jep forcë edhe sot.

Falënderoj anëtarësinë e Degës së LDK-së në Obiliq, asambleistët, bashkëpunëtorët dhe të gjithë qytetarët për besimin dhe përkrahjen. Vitet e punës sonë të përbashkët dhe lidhjet njerëzore të ndërtuara gjatë tyre do të mbeten të çmuara për mua.

Me mirënjohje të veçantë u drejtohem qytetarëve që kanë mbështetur dhe vazhdojnë ta mbështesin këtë kauzë përmes protestave paqësore dhe vigjileve para Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në qëndresën tuaj ka dhimbje, dinjitet dhe besnikëri ndaj kujtesës sonë. Zëri juaj meriton të dëgjohet brenda atyre mureve që sot qëndrojnë në një Kosovë të lirë.

Reklamë

Do të vazhdoj t’i shërbej vendit tim dhe të qëndroj pranë qytetarëve, bashkëluftëtarëve dhe familjeve që mbajnë peshën e sakrificës për liri.

Pozitat mund t’i lëmë. Përgjegjësinë ndaj atdheut e mbajmë gjithë jetën.
Me respekt,
Xhafer Gashi

Live: përditësimet e fundit

30 përditësime · 24 orët e fundit
  1. Reklamë

    Reporteri

    Deputetët e Vetëvendosjes largohen nga objekti i Kuvendit

    Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë dalur nga objekti i Kuvendit të Kosovës, pasi Policia e Kosovës ka hedhur gaz lotsjellës për të larguar protestuesit që kishin rrethuar objektin.

    Pasi nuk është arritur dakordim mes Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës për t’u mbajtur një seancë tjetër, deputetët e VV-së janë larguar nga Kuvendi ndërsa ata të PDK-së vazhdojnë të qëndrojnë.

    Nga PDK-ja kanë thënë se është kushtëzuar votimi në lexim të dytë i ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara me votimin e presidentit.

    Të martën është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit.

    Hape si lajm
  2. Reklamë

    Reporteri

    Eskalimi i protestës, Policia del me njoftim

    Policia e Kosovës ka thënë se përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme që u ka bërë protestuesve që të respektohet ligji e të protestohet në mënyrë të qetë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin gaz lotsjellës për të mundësuar daljen e deputetëve nga Kuvendi i Kosovës dhe për ta vënë situatën nën kontroll.

    Policia ka thënë se janë shkaktuar dëme materiale, por nuk raportohet për ndonjë lëndim serioz të personave.

    “Edhe përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme nga Policia, për respektim të ligjit, për protestim në mënyrë të qetë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin mjetet e ligjshme policore, gazin lotësjellës, për të mundësuar daljen e përsonaliteteve nga Kuvendi dhe për të vënë situatën nën kontroll. Si pasojë e hedhjes së gjësendeve të ndryshme, mjeteve piroteknike, fishekzjarreve, ndezjes së disa kontejnerëve të mbeturinave e zjarreve në rrugë nga protestuesit, janë shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për ndonjë lëndim serioz të personave. Policia e Kosovës, e rithekson se njeh të drejtë e qytetarëve për protestim dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë të qetë dhe demokratike dhe vazhdon të apeloj te të gjithë pjesëmarrësit të protestojnë të qetë, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjet. Përderisa protesta vazhdon, zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, siguria e qytetarëve dhe objekteve shtetërore si dhe mbarëvajtja e protestës vazhdojnë të jenë prioritet i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Kumtesa: 

    Protesta e qytetarëve e cila po mbahej sot përreth objekteve shtetërore, Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka vazhduar edhe në orët e mbrëmjes.

    Policia e Kosovës, me njësitë e saja ka vazhduar me ndërmarrjen e masave të nevojshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike, mbarëvajtjen e protestës si dhe ruajtjen e jetës dhe pronës publike.

    Përderisa protesta vazhdonte të mbahej pranë objekteve shtetërore, një grup i caktuar i personave në protestë, në shenjë pakënaqësie për mos votimin e ligjit për Specialen, në vazhdimësi kanë hedhur gjësende të ndryshme, mjete piroteknike e fishekzjarre drejt objekteve shtetërore, për të pamundësuar daljen e personaliteteve/deputetëve nga Kuvendi i RKS-së, ku disa prej tyre edhe i kanë detyruar të kthehen sërish brenda në Kuvend.

    Policia e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ofrimit të sigurisë për qytetarët si dhe mbrojtjes së pronës publike, në vazhdimësi ka kërkuar nga pjesëmarrësit që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos dëmtojnë pronën publike, të mos pengojnë lirinë e lëvizjes së lirë, e të mos bien ndesh me ligjin.

    Referuar zhvillimeve dhe situatës së krijuar nga hedhjet e vazhdueshme të gjësendeve të ndryshme, mjeteve piroteknike e fishekzjarreve, moslejimit të lëvizjes së lirë, zyrtarët policorë janë detyruar të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të domosdoshme, për parandalimin e dëmtimit të objekteve shtetërore dhe krijimit të mundësive për lëvizje e qarkullim të lirë të qytetarëve e personaliteteve shtetërore.

    Edhe përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme nga Policia, për respektim të ligjit, për protestim në mënyrë të qetë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin mjetet e ligjshme policore, gazin lotësjellës, për të mundësuar daljen e përsonaliteteve nga Kuvendi dhe për të vënë situatën nën kontroll.

    Si pasojë e hedhjes së gjësendeve të ndryshme, mjeteve piroteknike, fishekzjarreve, ndezjes së disa kontejnerëve të mbeturinave e zjarreve në rrugë nga protestuesit, janë shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për ndonjë lëndim serioz të personave.

    Policia e Kosovës, e rithekson se njeh të drejtë e qytetarëve për protestim dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë të qetë dhe demokratike dhe vazhdon të apeloj te të gjithë pjesëmarrësit të protestojnë të qetë, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjet.

    Përderisa protesta vazhdon, zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, siguria e qytetarëve dhe objekteve shtetërore si dhe mbarëvajtja e protestës vazhdojnë të jenë prioritet i Policisë së Kosovës.

    Hape si lajm
  3. Reklamë

    Reporteri

    PDK fton deputetët: Ejani të votohet Ligji sa s’është shpërbërë Kuvendi

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri në një konferencë për media me nënkryetaren e Kuvendit, Vlora Çitaku ka ftuar deputetët që të vijnë dhe të votojnë ndryshimet në Ligjin për Specialen edhe në lexim të dytë në orët sa kanë mbetur para se të shpërbëhet kjo legjislaturë.

    Ai ka thënë se është obligim dhe përgjegjësi e çdo force politike të votohen ndryshimet e këtij Ligji.

    “Është obligim dhe përgjegjësi kombëtare e secilës forcë politike dhe secilit deputet të Kuvendit të Kosovës, të vijë në Kuvend në këto orë sa kanë mbetur para se të shpërbëhet Kuvendi dhe të miratohet Ligji për Specialen edhe në lexim të dytë”, ka thënë Tahiri.

    Edhe Çitaku ka thënë se po kërkojnë që Ligji të miratohet pa asnjë kusht. Sipas Çitakut, në takim votimi i këtij Ligji është kushtëzuar me votimin e presidentit nga Lëvizja Vetëvendosje.

    “Ne kërkojmë që Ligji të miratohet pa asnjë kusht. Janë procese të ndara. Si mund të kushtëzosh mbrojtjen e UÇK-së. Është papërgjegjësi politike, historike e kombëtare. Kemi edhe pak orë kohë. Do të jemi këtu. Nuk lëvizim. Shpresojmë të ketë reflektim edhe nga subjektet tjera politike, përkatësisht nga Albin Kurti e Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Çitaku.

    Ka dështuar të arrihet një marrëveshje mes PDK-së dhe Vetëvendosjes për të votuar në lexim të dytë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Deputetët të Vetëvendosjes janë parë duke dal prej objektit nga dalja nga Qeveria. Ndërsa policia ka hedhur gaz lotsjellës në atë dalje.

    Sipas PDK-së takimi ka dështuar pasi kryeministri Albin Kurti ka kushtëzuar votimin e ndryshimeve të Ligjit në lexim të dytë, me zgjedhjen e presidentit.

    Protestues janë mbledhur rreth Kuvendit duke mos lejuar deputetët të largohen.

    Hape si lajm
  4. Reklamë

    Reporteri

    Kontejnerë duke u djegur, kjo është gjendja aktuale në rrugën “Agim Ramadani”

    Ka eskaluar protesta në Prishtinë, ku po kërkohet të kalohet ndryshim-ligji për Gjykatën Speciale.

    Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës, ndërkaq janë parë edhe kontejnerë të djegur.

    Disa protestues kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore pas hedhjes së gazit lotsjellës.

    Hape si lajm
  5. Reklamë

    Reporteri

    Endrit Thaçi dhe Klestor Veseli i bashkohen protestuesve në shesh

    Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, dhe Klestor Veseli, djali i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, i janë bashkuar protestuesve që po qëndrojnë në shesh, në kohën kur situata përreth Kuvendit të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar.

    Dy djemtë e ish-krerëve të UÇK-së janë parë mes qytetarëve, të cilët po kërkojnë miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

    Protesta është zhvilluar paralelisht me zhvillimet në Kuvend, ku partitë politike nuk kanë arritur pajtim për votimin e ndryshimeve ligjore. Ndërkohë, Policia e Kosovës ka ndërhyrë jashtë objektit për shpërndarjen e protestuesve.

    Në një konferencë për media, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Vlora Çitaku, u ka bërë thirrje deputetëve që të kthehen në Kuvend dhe të votojnë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në lexim të dytë.

    Tahiri ka deklaruar se votimi i këtij ligji është përgjegjësi e të gjitha forcave politike dhe deputetëve, veçanërisht në orët e fundit para përfundimit të mandatit të kësaj legjislature.

    “Është obligim dhe përgjegjësi kombëtare e secilës forcë politike dhe secilit deputet të Kuvendit të Kosovës, të vijë në Kuvend në këto orë sa kanë mbetur para se të shpërbëhet Kuvendi dhe të miratohet Ligji për Specialen edhe në lexim të dytë”, ka thënë Tahiri.

    Ndërkaq, Çitaku ka deklaruar se kërkesa e PDK-së është që ndryshimet ligjore të miratohen pa kushte.

    Sipas saj, gjatë diskutimeve politike, Lëvizja Vetëvendosje e ka kushtëzuar votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara me votimin për presidentin e vendit.

    Çitaku ka kërkuar që deputetët të votojnë ligjin, duke theksuar se çështja nuk duhet të lidhet me marrëveshje të tjera politike.

    Zhvillimet rreth Kuvendit dhe protesta jashtë tij vijojnë, ndërsa mbetet në pikëpyetje nëse ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara do të arrijnë të miratohen para përfundimit të kësaj legjislature.

    Hape si lajm
  6. Reklamë

    Reporteri

    Tensionohet situata, Policia hedh gaz lotsjellës në tentim për t’i liruar daljet nga Kuvendi

    Policia e Kosovës ka filluar të hedh gaz lotsjellës drejt protestuesve pasi të njëjtit kanë bllokuar hyrjet e Kuvendit të Kosovës, për të mos lejuar deputetët që dalin nga ky institucion.

    Paraprakisht, Çlirim Haziri njëri nga organizatorët e protestave, ka thënë se zyrtarët policorë po i nënshtrohen Albin Kurtit. Ai ka përsëritur se deputetët do të dalin nga Kuvendi vetëm “mbi trupat e tyre”. Ndërkohë është shtuar numri i forcave të policisë.

    Protesta po vazhdon me thirrjet që të votohen ndryshimet në Ligjin për Specialen, derisa është parë shtimi i forcave policore.

    Policia ka hedhur lotsjellës nga, përfshirë nga hyrja në drejtim të rrugës “Agim Ramadani” në tentim për ta liruar rrugën për largimin e deputetëve. Protestuesit kanë vazhduar hedhjen e mjeteve piroteknike. Ata kanë vendosur rrethoja të hekurit nga ajo rrugë. Janë djegur edhe shportat e bërrlokut të cilat janë vendosur në rrugë. Në vendin e ngjarjes është parë edhe autoambulanca.

    Gjatë ditës protestuesit kanë hedhur edhe mjete piroteknike drejt Kuvendit me ç’rast kanë thyer xhamat. Protestuesit me dhunë kanë kapur edhe deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi dhe e kanë kthyer drejt Kuvendit.

    Gjithashtu dhunshëm e kanë kapur edhe ish-zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi drejt Qeverisë së Kosovës. Ai më pas, bashkë më zyrtarët policorë që po e mbronin u sulmua edhe me ujë nga protestuesit.

    Hape si lajm
  7. Reklamë

    Reporteri

    “Albin eja në seancë, votojeni ligjin”, Çitaku: Qytetarët po presin nga ne vepra, jo fjalë

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka ftuar kryeministrin Albin Kurti që të shkojë në Kuvend dhe ta votojë ligjin për Gjykatën Speciale.

    Ajo në një postim në Facebook, ka thënë se qytetarët po presin vepra dhe jo fjalë.

    Reagimi i saj i plotë:

    “Albin, Eja në seancë. Eja në Kuvend. Eja dhe votojeni ligjin. Jo për PDK-në. Jo për një parti. Por për UÇK-në. Për historinë. Për të ardhmen. E kemi detyrë politike, qytetare e kombëtare. Qytetarët po presin nga ne vepra, jo fjalë“.

    Hape si lajm
  8. Reklamë

    Reporteri

    Edhe një dorëheqje tjetër në LDK, pas qëndrimit për Specialen

    Asambleistja e LDK-së në Kuvendin Komunal të Obiliqit, Vlora Mjekiqi Kabashi, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha detyrat dhe funksionet në këtë parti.

    Ajo ka bërë të ditur se nga sot mandatin në Kuvendin Komunal të Obiliqit do ta vazhdojë si asambleiste e pavarur.

    Mjekiqi Kabashi ka thënë se deri më tani ka qenë edhe kryetare e Forumit të Gruas në LDK-në e Obiliqit, si dhe delegate në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së.

    Ajo e ka lidhur dorëheqjen me qëndrimin e LDK-së për çështjen e UÇK-së dhe zhvillimet rreth Dhomave të Specializuara.

    “E vetëdijshme se Lufta e UÇK-së ishte luftë për liri, e mbështetur edhe nga SHBA dhe NATO-ja, dhe e bindur se liria është më shumë se çdo përkatësi partiake, pasi LDK-ja nuk e mbështeti këtë parim themelor se liria është mbi çdo parti, jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha detyrat dhe funksionet që kam në LDK”, ka shkruar ajo.

    Mjekiqi Kabashi ka falënderuar qytetarët e Obiliqit për besimin e dhënë, derisa ka njoftuar se do të vazhdojë si asambleiste e pavarur.

    Gjatë ditës edhe ssambleisti i LDK-së në Obiliq ka dhënë dorëheqje nga partia.

    Asambleisti i LDK-së në Kuvendin Komunal të Obiliqit, Labinot A. Mirena, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Ai ka thënë se vendimi i tij lidhet me mospajtimin ndaj qëndrimit të LDK-së për krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

    “Prandaj, nga sot mandatin tim në Kuvendin Komunal të Obiliqit do ta vazhdoj si asambleist i pavarur, me qëndrime të qarta dhe me përgjegjësi para qytetarëve të Obiliqit që më kanë dhënë besimin për t’i përfaqësuar”, ka deklaruar ai.

    Deputetët e LDK-së nuk kanë marrë pjesë sot në votimin për Projektligjin për Speciale.

    Hape si lajm
  9. Reklamë

    Reporteri

    Reagon LDK pasi emrat e deputetëve iu vendosëm me një rresht me ata të Listës Serbe: Nuk shantazhohemi

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar pasi thotë se i janë vendosur emrat e deputeteve të saj në një rresht me deputetët e Listës Serbe.

    Në reagim thuhet nuk shantazhohet me etiketime dhe kërcënime.

    Tutje në reagim thuhet se janë partia e Ibrahim Rugovës dhe veprimtarëve të vrarë.

    LDK ka shtuar se Lufta e UÇK-së është e shenjtë, ndërsa kërkimi i drejtësisë për viktimat është detyrim i patjetërsueshëm.

    Komunikata e plotë:

    REAGIM I LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS

    Vendosja e emrave të deputetëve të LDK-së në një rresht me deputetët e Listës Serbe, për shkak të qëndrimit tonë parimor, logjik e shtetar, është përpjekje e ulët për linçim publik dhe kërcënim politik.

    Mesazhi ynë është i qartë, LDK nuk shantazhohet. As me etiketime, as me kërcënime, as me përpjekje të tilla.

    Qëndrimi ynë buron nga përgjegjësia ndaj Kosovës. Ne nuk e mashtrojmë popullin me iniciativa që nuk prodhojnë efektin juridik që u premtohet qytetarëve. Nuk ushqejmë shpresa të rreme dhe nuk i përdorim dhimbjen e ndjenjat e njerëzve për përfitime politike. Çështje kaq të ndjeshme kërkojnë seriozitet juridik dhe koordinim me aleatët tanë.

    Po aq qartë, LDK nuk e braktis identitetin e vet ekzistencial. Jemi partia e Ibrahim Rugovës, e lirisë, e pavarësisë dhe e orientimit perëndimor të Kosovës. Jemi edhe partia e veprimtarëve të vrarë, familjet e të cilëve ende presin drejtësi. Askush nuk mund të na kërkojë ta harrojmë këtë pjesë të historisë sonë, aq më pak të na kërcënojë pse kërkojmë drejtësi.

    Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Kërkimi i drejtësisë për viktimat është detyrim i patjetërsueshëm. Kosova duhet t’i mbrojë të dyja, me të vërtetën, me shtetin dhe me përgjegjësi.

    LDK-së nuk i caktohet qëndrimi me shantazh. Dhe nuk i merret identiteti me kërcënim.

    U bëjmë thirrje të gjitha partive politike dhe udhëheqësve të tyre të tregojnë përgjegjësi dhe të kërkojnë përgjegjësi nga përfaqësuesit e përkrahësit e tyre. Të ndalin gjuhën e linçimit dhe të mos e kthejnë këtë çështje në betejë kundër njëri-tjetrit. Dallimet për rrugën që duhet ndjekur nuk na bëjnë armiq. Kosova ka nevojë për maturi dhe bashkëpunim; nxitja e urrejtjes mes nesh vetëm e dobëson atë.

    Hape si lajm
  10. Reklamë

    Reporteri

    “Votoma Presidentin, ta votoj ligjin”, Blerta Deliu thotë se Kurti ka kushtëzuar gjatë takimit me Hamzën

    “Votoma Presidentin, ta votoj ligjin”, kështu ka deklaruar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, pasi ka përfunduar takimi mes Albin Kurtit dhe Bedri Hamzën.

    Ajo tha se nuk ka shprehje më të qartë të pazarit me kauzën e çlirimtarëve.

    “Votoma Presidentin, ta votoj ligjin”, a ka shprehje ma të qartë të pazarit me kauzën e çlirimtarëve? Po thoni se UÇK-ja është e të gjithëve. Atëherë pse vota juaj për ligjin varet prej asaj çka merrni për vete? Nëse UÇK-ja është e të gjithëve, edhe përgjegjësia është e të gjithëve. Votojeni ligjin pa ia vu çmimin”, ka shkruar ajo në Facebook.

    Hape si lajm
  11. Reklamë

    Reporteri

    Menjëherë pas takimit me Kurtin, Hamza mbledh Grupin Parlamentar të PDK-së

    Pas përfundimit të takimit me kryeministrin Albin Kurti, kryetari i PDK-së, siç merr vesh Gazeta Online Reporteri.net, Bedri Hamza, ka mbledhur Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.

    Takimi i Grupit Parlamentar vjen menjëherë pas bisedës që Hamza zhvilloi me Kurtin në ambientet e Kuvendit, e cila zgjati më shumë se një orë.

    Në takimin mes Kurtit dhe Hamzës janë diskutuar dy çështjet që kanë dominuar zhvillimet politike të ditëve të fundit: ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhja e presidentit të Kosovës.

    PDK-ja ka insistuar që Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratohet në të dyja leximet, ndërsa më pas të procedohet me zgjedhjen e presidentit.

    Ende nuk ka informacione për përmbajtjen e bisedës mes Kurtit dhe Hamzës apo nëse është arritur ndonjë pajtim.

    Tashmë mbetet të shihet se çfarë qëndrimi do të marrë Grupi Parlamentar i PDK-së pas takimit të kryetarit të partisë me Kurtin.

    Hape si lajm
  12. Reklamë

    Reporteri

    Përfundon takimi Kurti-Hamza

    Ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, i cili kishte nisur në orën 16:40 në ambientet e Kuvendit të Kosovës mëson Gazeta Online Reporteri.net.

    Takimi ka zgjatur më shumë se një orë dhe është zhvilluar në përpjekje për të arritur një marrëveshje politike për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

    Takimi i sotëm erdhi pasi Kuvendi votoi në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Kurti dhe Hamza kanë zhvilluar disa takime gjatë ditëve të fundit pikërisht për këto dy çështje.

    Hamza ka insistuar që ndryshimet në Ligjin për Specialen të miratohen në tërësi, përfshirë leximin e dytë, përpara se PDK-ja të japë votat për zgjedhjen e presidentit.

    “Ne po themi me u aprovu ligji në dy leximet, pastaj me u propozu emri për president dhe me u zgjedhë presidenti e me u shmang zgjedhjet”, kishte deklaruar Hamza.

    Ende nuk është bërë e ditur nëse nga takimi i sotëm është arritur ndonjë marrëveshje mes Kurtit dhe Hamzës.

    Hape si lajm
  13. Reklamë

    Reporteri

    Shefi i Policisë i kalon me vrull barrikadat te Kuvendi

    Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, i ka kapërcyer me vrull dy rrethojat te Kuvendi.

    Ai e frikësoi disi një një polic brenda oborrit të Kuvendit, i cili u befasua pak kur e pa se ishte shefi i tij.

    Hoxha më herët u pa duke hyrë në Qeveri, prapa një kordoni policësh të vendosur në hyrje.

    Protestuesit e grumbulluar përreth Kuvendit dhe Qeverisë kanë paralajmëruar se nuk do t’i lënë zyrtarët shtetërorë dhe deputetët të dalin nga aty derisa të votohet edhe në lexim të dytë projektligji për Gjykatën Speciale.

    Hape si lajm
  14. Reklamë

    Reporteri

    Pas pamjeve me Rexhepin, Nagavci: Mos e përdorni UÇK-në për të arsyetuar dhunën ndaj deputetëve

    Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas incidentit me deputetin Fahrush Rexhepi, i cili u pengua nga protestuesit të largohej nga hapësirat e Kuvendit.

    Sipas pamjeve të publikuara ku disa protestues e kanë kapur Rexhepin dhe e kanë ngritur për ta kthyer sërish brenda rrethojave të Kuvendit, duke mos e lejuar të vazhdojë largimin.

    Nagavci e ka dënuar këtë veprim, duke thënë se protesta dhe kritika janë të drejta, por jo përdorimi i forcës ndaj një deputeti.

    “E papranueshme dhe e turpshme sjellja e sotme ndaj deputetit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Prof. Dr. Fahrush Rexhepi.

    Pamjet ku protestuesit e kapin për duarsh dhe e shtyjnë me forcë një deputet të Republikës së Kosovës nuk kanë asgjë të përbashkët me të drejtën demokratike për protestë. Protesta është e drejtë, kritika është e drejtë, kërkesa për llogaridhënie është e drejtë, por askush nuk ka të drejtë të përdorë forcën fizike ndaj një përfaqësuesi të zgjedhur të qytetarëve”, ka shkruar Nagavci.

    Ajo ka përmendur edhe familjen e Rexhepit, duke theksuar se vëllai i tij, Njazi Rexhepi, ishte pjesëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe ra në Betejën e Koshares, ndërsa vëllai tjetër, Jonuz Rexhepi, është veteran i luftës dhe pjesëtar i UÇK-së.

    “Askush nuk fiton të drejtën të ushtrojë dhunë duke u thirrur në emër të UÇK-së, aq më pak ndaj një njeriu, familja e të cilit ka paguar me gjak çmimin e lirisë së Kosovës.

    Liria për të cilën ranë dëshmorët nuk u fitua që sot, në emër të saj, të kapen me forcë deputetët e Republikës.

    Kjo nuk është mbrojtje e vlerave të luftës.

    Kjo është cenim i tyre”, ka shkruar Nagavci.

    Hape si lajm
  15. Reklamë

    Reporteri

    Tahiri kërkon që deputetët e VV-së të paraqiten në sallë: Ligji duhet të vijë menjëherë

    Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të paraqiten sa më shpejt në sallën e Kuvendit, në mënyrë që të mbahet seanca për leximin e dytë të Projektligjit për Dhomat e Specializuara.

    Tahiri, në një konferencë për media, tha se Projektligji duhet të sillet menjëherë në Kuvend, duke theksuar se, sipas tij, nuk ka arsye që kjo të mos ndodhë.

    “Ligji duhet të vijë menjëherë. Aleanca kërkon menjëherë me e sjellë. Nuk ka asnjë arsyetim pse të mos vijë ligji”, tha Tahiri.

    Ai u shpreh se Aleanca po e përcjell me shqetësim situatën në Kuvend dhe zhvillimet jashtë objektit të tij.

    “Ne po e përcjellim me shqetësim situatën e cila është në Kuvend të Kosovës dhe jashtë Kuvendit”, deklaroi Tahiri.

    Hape si lajm
  16. Reklamë

    Reporteri

    Musliu u bën thirrje protestuesve: Jemi vetëm 22 deputetë, por me ju në rrugë bëhemi më të fortë

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, u ka bërë thirrje qytetarëve që po protestojnë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që të vazhdojnë protestat dhe t’u bashkohen organizatorëve, në mënyrë që të kërkohet miratimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Musliu, përmes një videoje të publikuar nga Kuvendi, ka thënë se deputetët e PDK-së po qëndrojnë në sallën e Kuvendit me të njëjtin qëllim si protestuesit në rrugë.

    “Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, ashtu siç po qëndroni ju tash e tri javë ditë në rrugët e Kosovës e në metropolet e botës, ashtu po qëndrojmë edhe ne në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës me të vetmen kërkesë dhe të vetmin qëllim: për të votuar ligjin për dhomat e specializuara të Kosovës.

    Ne e dimë që jemi pak, jemi vetëm 22 deputetë, por sa më shumë që ju jeni në rrugë, aq më të fortë do të bëhemi ne brenda sallës.

    Prandaj, ju ftojmë për përkrahje, ju ftojmë t’ju bashkangjiteni organizatorëve të protestës dhe një zëri të kërkojmë të drejtën tonë për të mbrojtur luftën e lavdishme të ushtrisë çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Musliu.

    Hape si lajm
  17. Reklamë

    Reporteri

    Haziri bën thirrje për tubim para Kuvendit: UÇK-ja ka nevojë për ne, tani

    Organizatori i protestës “Jo në emrin tim!” Çlirim Haziri ka bërë thirrje për një mobilizim qytetar para Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar pjesëmarrje masive në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në një mesazh të publikuar në Facebook, Haziri u është drejtuar qytetarëve me thirrjen që të mblidhen në shesh dhe të jenë të pranishëm pranë Kuvendit.

    “Thirrje gjithëpopullore! Ejani të gjithë te Kuvendi i Kosovës! UÇK-ja ka nevojë për ne. Tani!”, ka shkruar Haziri.

    Ai ka theksuar se, sipas tij, “sot nuk ka vend për heshtje” dhe ka bërë thirrje për bashkim e pjesëmarrje.

    “Të gjithë në shesh! O sot, o kurrë! Për UÇK-në. Për drejtësi. Ejani tani!”.

    Hape si lajm
  18. Reklamë

    Reporteri

    Altin Krasniqi u bën thirrje deputetëve: Ejani në Kuvend, të bashkohemi rreth UÇK-së

    Altin Krasniqi, djali i ish-kryeparlamentarit të Kosovës dhe njërit prej ish-krerëve të UÇK-së, Jakup Krasniqit u ka bërë thirrje deputetëve që të shkojnë në Kuvend dhe siç u shpreh “të bashkohemi përderi rreth UÇK-së”.

    Në fund të mesazhit të tij, ai iu drejtua edhe qytetarëve me një përshëndetje të veçantë.

    “I ftoj të gjithë kolegët deputetë, nga të gjitha partitë, të vijnë në Kuvend që të bashkohemi përsëri rreth UÇK-së, si dikur, e t’i mbrojmë me dinjitet çlirimtarët tanë dhe Kosovën. Qytetarë, të fala keni nga babi”, shkroi ai.

    Hape si lajm
  19. Reklamë

    Reporteri

    Çitaku: PDK-ja s’largohet nga Kuvendi, deputetët të kthehen e ta votojnë Ligjin për Specialen

    Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku tha se si parti do të qëndrojnë në sallën plenare derisa të miratohet në lexim të dytë projektligji që parasheh ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    “PDK-ja nuk largohet nga salla, nuk largohet nga Kuvendi”, tha ajo.

    Çitaku u ka bërë thirrje partive të tjera politike që të marrin pjesë në seancë, në mënyrë që ligji të votohet në lexim të dytë.

    “I ftojmë të gjithë deputetët të kthehen në sallë dhe të votojnë në lexim të dytë Ligjin për Dhomat e Specializuara. Çështja e ligjit dhe çështja e presidentit janë të ndara. Votimi i ligjit është detyrim jo vetëm politik, por edhe kombëtar. Çështja e presidentit është çështje e marrëveshjes, janë totalisht të ndara”, tha ajo.

    Hape si lajm
  20. Reklamë

    Reporteri

    Situata e tensionuar, shefi i Policisë shkon në Qeveri

    Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha ka shkuar në Qeverinë e Kosovës.

    Ai është parë duke hyrë në Qeveria, prapa një kordoni policësh të vendosur në hyrje.

    Protestuesit e grumbulluar përreth Kuvendit dhe Qeverisë kanë paralajmëruar se nuk do t’i lënë deputetët të dalin nga aty derisa të votohet edhe në lexim të dytë projektligji për Gjykatën Speciale.

    Hape si lajm
  21. Reklamë

    Reporteri

    Protestuesit e kapin pezull deputetin e VV’së dhe e kthejnë në oborr të Kuvendit, nuk e lënë të largohet

    Protestuesit po vazhdojnë të mos i lejojnë deputetët të largohen nga hapësirat e Kuvendit. Ata kanë  penguar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, që të largohej nga hapësira e rrethuar.

    Derisa Rexhepi po tentonte të largohej, disa prej protestuesve e kanë kapur dhe e kanë ngritur për ta kthyer përsëri brenda rrethojave të Kuvendit.

    Në pamjet nga vendi i ngjarjes shihet deputeti i VV-së i kapur nga protestuesit, të cilët nuk e lejojnë të vazhdojë largimin dhe e kthejnë në zonën e rrethuar.

    Incidenti me Rexhepin vjen në kohën kur situata para institucioneve është tensionuar nga protestuesit.

    Më herët, një incident tjetër kishte ndodhur edhe me ish-zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi. Derisa ai po ecte pranë gardhit në afërsi të Qeverisë, një person i ishte afruar dhe e kishte tërhequr për xhakete, ndërsa protestues të tjerë e kishin sulmuar nga larg.

    Protestuesit po insistojnë se nuk do të lejojnë asnjë deputet të largohet nga Kuvendi, pa u votuar ndryshimi i ligjit për Gjykatën Speciale.

    /Reporteri.net/

    Hape si lajm
  22. Reklamë

    Reporteri

    Eskalon situata, disa protestues e tërheqin dhe e sulmojnë Besnik Bislimin, e mbron policia

    Disa protestues e kanë tërhequr dhe e kanë sulmuar ish-zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi në afërsi të qeverisë.

    Bislimi po ecte përreth gardhit, ndërsa një person i është afruar dhe e ka tërhequr për xhakete.

    Siç shihet në një video të publikuar nga IndeksOnline, protestues të tjerë e sulmojnë nga larg.

    Disa policë u kujdesën që ta mbronin Bislimin.

    Hape si lajm
  23. Reklamë

    Reporteri

    Policia konfirmon arrestimin e protestuesit

    Policia ka bërë të ditur se një protestues është shoqëruar në stacion policor, pasi dyshohet se ka poseduar dhe ka hedhur mjete piroteknike në drejtim të objekteve shtetërore.

    Në njoftimin e Policisë thuhet se, gjatë protestës së sotme para Kuvendit të Kosovës, persona të caktuar kanë tentuar të futen brenda rrethojave të Kuvendit dhe kanë hedhur mjete të ndryshme dhe mjete piroteknike drejt objekteve shtetërore.

    “Edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme të zyrtarëve policorë që të protestohet në mënyrë të qetë, Policia e Kosovës është detyruar të marrë masa ndaj një protestuesi i cili dyshohet se ka poseduar dhe ka hedhur mjete piroteknike në drejtim të objekteve shtetërore, të cilin e ka shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Më herët, Reporteri.net raportoi se personi i arrestuar është F. Rushiti dhe se ai dyshohet për dëmtimin e pronës, konkretisht për thyerjen e xhamit të Kuvendit.

    Sipas të dhënave të siguruara nga Reporteri.net, Rushiti figuron i dyshuar edhe në raste të tjera, përfshirë lëndim të rëndë trupor, kanosje, mbajtje në pronësi ose kontroll të paautorizuar të armës, lëndim të lehtë trupor, dhunë në familje dhe vjedhje.

    Ndërkohë, Policia ka apeluar te protestuesit që të protestojnë në mënyrë të qetë, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjin.

    Protesta para Kuvendit po vazhdon lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe në pritje të votimit të ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Hape si lajm
  24. Reklamë

    Reporteri

    Jep dorëheqje nga partia asambleisti i LDK-së: Nuk pajtohem me qëndrimin ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë

    Asambleisti i Kuvendit Komunal të Obiliqit, Labinot Mirena, ka njoftuar se jep dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke bërë të ditur se mandatin e tij do ta vazhdojë si asambleist i pavarur.

    Mirena e ka lidhur vendimin e tij me atë që ai e konsideron qëndrim të LDK’së ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë.

    “Nuk e pranoj dhe nuk pajtohem me qëndrimin e LDK’së ndaj krerëve të UÇK’së që po gjykohen në Hagë. Për mua, kjo nuk është vetëm çështje politike apo partiake, por çështje parimesh dhe bindjesh personale, mbi të cilat nuk mund të bëj kompromis”, ka deklaruar Mirena.

    Ai ka thënë se qëndrimi i partisë në këtë çështje bie ndesh me bindjet dhe vlerat që përfaqëson.

    “Qëndrimi i LDK’së për këtë çështje bie ndesh me vlerat dhe bindjet që kam përfaqësuar dhe vazhdoj t’i përfaqësoj. Për këtë arsye, nuk mund të vazhdoj të jem pjesë e një subjekti politik me të cilin, në një çështje kaq të rëndësishme, kam dallime thelbësore”, ka thënë ai.

    Mirena ka bërë të ditur se pas largimit nga LDK’ja do ta vazhdojë mandatin në Kuvendin Komunal të Obiliqit si i pavarur.

    “Mandatin tim në Kuvendin Komunal të Obiliqit do ta vazhdoj si asambleist i pavarur, me qëndrime të qarta dhe me përgjegjësi para qytetarëve të Obiliqit që më kanë dhënë besimin për t’i përfaqësuar”, ka deklaruar Mirena.

    Me vendimin e fundit, Mirena largohet nga strukturat e LDK-së, ndërsa paralajmëron vazhdimin e aktivitetit të tij në Kuvendin Komunal si asambleist i pavarur.

    Hape si lajm
  25. Reklamë

    Reporteri

    Arrestohet një person për thyerjen e xhamit të Kuvendit, i dyshuari del se ka dosje për disa raste në Polici

    Një person është arrestuar nën dyshimin se ka dëmtuar pronën, përkatësisht se ka thyer një xham të objektit të Kuvendit të Kosovës, gjatë protestës së sotme ku po kërkohet miratimi i prejktligjit për Specialen

    Gazeta Online Reporteri.net mëson se bëhet fjalë për F. Rushitin, i cili është arrestuar lidhur me rastin e dëmtimit të pronës.

    Sipas informacioneve të  Reporteri.net,  Rushiti figuron i dyshuar edhe në disa raste të tjera penale.

    Në dosjen e tij figurojnë dyshime për lëndim të rëndë trupor, kanosje, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës, lëndim të lehtë trupor, dhunë në familje dhe vjedhje.

    Rasti për të cilin është arrestuar së fundmi lidhet me dëmtimin e pronës, konkretisht me thyerjen e xhamit të Kuvendit të Kosovës. /Reporteri.net/

    Hape si lajm
  26. Reklamë

    Reporteri

    Nxënësit e disa shkollave në Prishtinë braktisën sot mësimin, iu bashkuan protestës para Kuvendit

    Nxënësit e disa shkollave të mesme në Prishtinë kanë braktisur sot mësimin për t’iu bashkuar protestës para Kuvendit të Kosovës, në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Këshillat e nxënësve në disa prej shkollave u kanë përcjellë maturantëve njoftim për pjesëmarrje në protestën e mbajtur para Kuvendit.

    Në njoftimin e shpërndarë për nxënësit thuhet se maturantët do të mblidheshin në Sheshin Skënderbeu në orën 08:00, ndërsa pjesëmarrja ishte cilësuar si obligative.

    “Në kuadër të protestës në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për mbrojtjen e vlerave të saj”, thuhet në njoftim.

    Në të njëjtin njoftim bëhet e ditur se nxënësit e klasave të tjera nuk do të mund të merrnin pjesë.

    Po ashtu, në njoftim thuhet se prindërit do të informoheshin lidhur me pjesëmarrjen e nxënësve në protestë.

     

     

    Protesta po mbahet para Kuvendit të Kosovës, në ditën kur deputetët kanë votuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Hape si lajm
  27. Reklamë

    Reporteri

    Rrustem Mustafa i vetmi nga PDK që votoi pro Projektligjit për Byronë Shtetërore

    Miratohet në shqyrtim të parë Projektligji për Byronë Shtetërore dhe verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme

    Kuvendi i Kosovës ka miratuar në shqyrtim të parë Projektligjin nr. 11/L-006 për Byronë Shtetërore dhe Verifikimin e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.

    Projektligji mori mbështetje të plotë nga deputetët e pranishëm në votim, me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

    Nga radhët e PDK-së, në votim mori pjesë vetëm deputeti Rrustem Mustafa, ndërsa deputetët e tjerë të kësaj partie lëshuan sallën pak minuta para se të hidhej në votim, në shenjë kundërshtimi pasi su hodhet në votim mocioni për votim të Ligjit për Specialen edhe në lexim të dytë sot në orën 17:30.

    Hape si lajm
  28. Reklamë

    Reporteri

    Miratohet në parim ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Gërvalla: Qytetarët po e presin me padurim

    Kuvendi e ka miratuar në parim projektligjin për Byronë Shtetërore dhe Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

    Projektligji kaloi me mbështetje të gjerë, duke marrë 81 vota nga po aq deputetë sa ishin në sallë.

    Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha paraprakisht se “qytetarët e Republikës sonë janë duke na shikuar dhe duke e pritur me padurim” miratimin e këtij ligji.

    Gërvalla tregoi shkurt se si do të funksionojë ky ligj.

    “Byroja verifikon, mbledh dhe paraqet provat. Personi ka të drejtë të mbrohet dhe t’i kundërshtojë ato, ndërsa për konfiskimin vendos vetëm Gjykata”, tha ajo.

    Shefi i grupit parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, kërkoi që ky ligj “të mos jetë subjekt i fushatës zgjedhore” dhe “të mos jetë një instrument i cili synon, përçon porosi jashtë kornizës së sundimit të ligjit”.

    Ai tha se ligji duhet të jetë i tillë që “i shkon prapa secilit dhe secilës zyrtar/e publik/e që e ka keqpërdorur pozitën e vet zyrtare”.

    Hape si lajm
  29. Reklamë

    Reporteri

    Albulena Haxhiu e ashpër në Kuvend: UÇK-në nuk mund ta mbrojë vetëm PDK-ja

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu i është përgjigjur ashpër kërkesës së kryetarit të Grupit Parlamentar të PDK-së Arian Tahiri që Projektligji për Dhomat e SPecializuara të kalojë në lexim të dytë. 

    Haxhiu tha se ndryshimi i qëndrimit të PDK-së erdhi vetëm pak kohë pasi, sipas saj, ishte arritur një dakordim mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.

    Haxhiu tha se e kupton rëndësinë e çështjes dhe se dakordimi ishte që, pas takimit ndërmjet Kurtit dhe Hamzës, të mund të arrihej një marrëveshje për këtë çështje.

    “E kuptojmë rëndësinë e çështjes, dakordimi ishte pas takimit ndërmjet kryetarëve përkatësisht të Vetëvendosjes, Kryeministrit Kurti dhe Bedri Hamzës, kryetarit të PDK-së, pastaj mund të vijë me një dakordim për çështjen në fjalë. Kështu ishte marrëveshja, kjo u bë para shefave të grupeve parlamentare dhe nuk e kuptoj si ka mundësi pa kaluar pak kohë, si me thënë, shumë pak prej kohës kur jemi marrë vesh, vini dhe e ndryshoni qëndrimin”, tha Haxhiu.

    Ajo i bëri thirrje PDK-së që të takohet me partitë e tjera dhe të arrijë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar këtë çështje si urgjente, veçanërisht pas vendimit të 16 shtatorit për ish-krerët e UÇK-së.

    “Unë ju inkurajoj që për shkak pikërisht të urgjencës që kemi, sensitivitetit, pra ndjeshmërisë pas vendimit të 16 shtatorit, është shumë e rëndësishme që të jemi bashkë dhe t’i japim vendit president, sepse ne mund të votojmë ligjin. Por ata atje, nëse ne shkojmë në zgjedhje, mbesim vetëm”, tha ajo.

    Haxhiu kërkoi që partitë të takohen dhe të merren vesh, duke paralajmëruar se Kosova nuk duhet të shkojë në zgjedhje për herë të dytë për shkak të moszgjedhjes së presidentit.

    “Prandaj unë sot ju ftoj, edhe si kryetare e Kuvendit, edhe si ushtruese e detyrës së presidentes, takohuni, merruni vesh dhe ejani në seancë. Nuk ka më të rëndësishme, po e përsëris, se presidenti jo për shkak të emrit të përveçëm, por nuk mund ta çojmë vendin në zgjedhje për herë të dytë për shkak të presidentit”, deklaroi Haxhiu.

    Ajo e cilësoi këtë si papërgjegjësi ndaj qytetarëve dhe kërkoi që deputetët të veprojnë në përputhje me përgjegjësitë që kanë.

    “Është papërgjegjësi, është moskokëçarje në raport me përgjegjësitë që i kemi para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Pra ju lutem, që të veproni në përputhje me përgjegjësitë. Mos i vendosni as deputetët e Kuvendit në një situatë të tillë”, tha ajo.

    Haxhiu më pas kritikoi propozimin e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se nuk është e nevojshme që situata aktuale dhe emocionet e protestuesve jashtë Kuvendit të përdoren për të shtyrë propozime të tilla.

    Ajo kërkoi tërheqjen e propozimit dhe tha se, për shkak të respektit, ia kishte dhënë fjalën Tahirit që ta paraqiste qëndrimin e PDK-së.

    “S’keni nevojë me pas pronësi mbi UÇK-në. Prandaj ju lutem, që të tërhiqeni nga ky propozim”, tha Haxhiu.

    Në fund, ajo u shpreh optimiste se partitë mund të gjejnë një zgjidhje për çështjen e presidentit.

    Hape si lajm
  30. Reklamë

    Reporteri

    Hamza pasi u pyet se kur do të takohet me Kurtin: Nuk e di

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza nuk ka treguar se kur do të ndodhë takimi me kryeministrin Albin Kurti i paralajmëruar për sot.

    Ndonëse takimi u tha se do të ndodh pas orës 12:00, Hamza ka thënë se nuk e di se kur do të ndodhë takimi.

    Kurti gjatë fjalimit të tij në seancën ku u miratua në parim projektligji për Dhomat e Specializuara tha se gjatë ditës do të ketë një takim me Hamzën.

    Hape si lajm
Reklamë
Më shumë
Reklamë

Lajmet e fundit

Reklamë