Jeton Zogjani, Gentiana Beqa, Fahrush Azemi, Enkelejda Arifi, ishin disa nga emrat e njohur të showbizit shqiptar, që ia mësynë garës për të zënë ulësen e deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Asnjëri nga ta nuk arriti të siguronte votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet edhe pse në kohën kur u anëtarësuan nëpër parti të ndryshme politike gjatë fushatës zgjedhore, ishin mjaft të zëshëm, shkruan Reporteri.net.
Geta Beqa, kandidatja për deputete nga rradhët e PDK-së, pas rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, vazhdoi të merret me ushtrimet në fushën e bodybuilding. Edhe pse pjesë e PDK-së u bënë persona të cilët nuk i kanë problem peshat e rënda, kjo nuk u solli shumë vota.
Partia me të cilën ajo garonte, shkoi në opozitë pas 12 vitesh në udhëheqje të shtetit.
Ajo nuk reagoi asgjë lidhur me formimin e qeverisë së re.
Edhe bashkëpartiaku i saj, këngëtari Fahrush Azemi, ka vazhduar me mbajtjen e mbrëmjeve të tij muzikore. Reagimi i tij i vetëm për formimin e qeverisë në krye me Albin Kurtin, ishte një status i publikuar me datë 2 shkurt, ku marrëveshjen për bashkëqeverisje nërmjet LVV dhe LDK, e quante si “MARRË(ZH)VESHJE”. Në këtë status mori mjaft komente negative nga personat që e ndjekin atë.
As Jeton Zogjani, i cili ishte pjesë e listës së kandidatëve për deputet të AAK-së, nuk mori mjaftueshëm vota që të bëhej pjesë e Kuvendit të Kosovës. Reagimet e tij lidhur me marrëveshjen mes LVV dhe LDK në profilin e tij në rrjetin social në Facebook, ishin kryesisht ironizuese.
Për dallim prej këtyre, këngëtarja Enkelejda Arifi, iu gëzua faktit se bartësi i listës zgjedhore në të cilën ajo bënte pjesë, u bë shef qeverie. Ajo përmes një postimi në Facebook, uroi kreun e qeverisë, Albin Kurti, duke theksuar se i është bërë “zemra mal” me zgjedhjen e tij si kryeminister.
Siç duket, aderimi i fytyrave publike, nuk është edhe aq ndihmesë e madhe për partitë politike që të sigurojnë sa më shumë vota./Reporteri.net