×
Opinione

Analizë e Reporterit: Heshtja e Vjosa Osmanit karshi shkarkimit të ‘armikut’ të saj dhe Kurtit

Reporteri
18 Mars 2020 | 17:05

Para disa dite, kur u mbajt seanca për buxhetin e shtetit për këtë vit, dhe u votua një rezolutë për dialogun me Serbinë, përmes së cilës ‘obligohej’ Qeveria ta drejtonte atë, kryeministri Albin Kurti falënderoi Vjosa Osmanin, kryetare të Kuvendit për menaxhimin e një seance që ishte kryer rreth orës 2 të mëngjesit. Kjo tregoi se edhe pas gati 2 muaj në Qeveri, Kurti e Osmani kanë raporte shumë të mira.


Madje është një ‘sekret publik’ që Vjosa Osmani është më shumë e afërt me Kurtin e VV-së se me partinë e saj, LDK-në ku është nënkryetare, shkruan Reporteri.

Sot, miku i saj, Albin Kurti ia ka shkarkuar nga pozita e ministrit, nënkryetarin Agim Veliun, për të cilin Osmani nuk ka shumë fjalë të mira. Kishte pasur konflikte me të në kohën e negociatave për koalicion. Veliu e kishte akuzuar Osmanin e po takohet si shpesh me Kurtin dhe duhet të flasë për këto takime edhe në parti. Osmani ia kishte kthyer se ‘nuk i jep askujt llogari’ për këto.

Në VV edhe publikisht e kishin akuzuar Agim Veliun si njeriu që nuk e dëshironte koalicionin me VV-në dhe tentonte ta pengonte atë për disa muaj.

Një nga pengesat e mëdha për të arritur koalicionin thuhej edhe zyrtarisht se ishte Ministria e Brendshme. Të dy partitë e dëshironin për vete. Pas gjithë rokadës më kryetar të Kuvendit, e negociatat pa fund, Kurti e dha MPB-në e LDK e befasoi duke ia vendosur pikërisht ‘armikun’ kryesor të tij e Vjosa Osmanit, shkruan Reporteri.

Pas 2 muajve, Albin Kurti me gjasë nuk e duroi më Veliun dhe vendosi që ta përdor si kartë për ta ‘rrezuar Qeverinë’. Tash LDK po e kërkon kthimin e Veliut në post ose dalje nga Qeveria. Vjosa Osmani nuk e ka thënë ende asnjë fjalë për këtë. U raportua madje, se ajo ishte në zyre të Kurtit pak para se të shkarkohej Veliu.
Në Kosovë si në krejt botën ka shpërthyer virusi COVID – 19. Presidenti po kërkon ‘gjendje të jashtëzakonshme’. Kryeministri kundër.
Taksën ndaj Serbisë po na e kërkojnë ta heqim. Ani pse Qeveria situatën në vend e sheh nën kontroll e të tjerët kërkojnë gjendje të jashtëzakonshme, ne mund të konkludojmë se tashmë jemi në një gjendje të jashtëzakonshme.

Ndoshta testimi me zgjedhje të mëvonshme apo një ndërhyrje kirurgjike nga Amerika e shpëton Kosovën edhe nga një kaos institucional, politik, shëndetësor e gjithçka tjetër. Deri atëherë, rrini në shtëpi duke u argëtuar me skeçet politike. /Reporteri

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!