Autor: Lirim Gashi
Zgjedhje, zgjedhje, ambicie për kryetar, largime nga puna, kthime në punë, po na dënon UEFA…
Sot po bëhen dy vite që kur na la legjenda Fadil Vokrri dhe futbolli kosovar, përkatësisht institucioni që ai e udhëhiqte akoma nuk është në binarë të duhur dhe është i shoqëruar me skandale të ndryshme, shkruan Reporteri.net
Përderisa kishim legjendën si kryetar të FFK-së askush nuk guxonte ta ëndërronte atë post, tash që fatkeqësisht nuk e kemi, aty po bëhet hallakamë.
Vdekja e tij ishte dhimbje e madhe për të gjithë Kosovën e në veçanti për futbollin e FFK-në, e cila lirisht mund të themi se deri atë kohë ishte institucioni i vetëm që kishte njeriun e duhur në krye.
Akoma pa u dërguar Vokrri në banesën e fundit dikush filloi mbledhjen e nënshkrimeve për të marr postin e kryetarit. Fatkeqësisht personi që kishte ambicie për të pasuar Vokrrin ishte një i akuzuar për zhvatje e korrupsion, i cili pas 10 ditëve me dëshirë apo pa dëshirë do të duhet që të shkojë në burg pasi është shpallur fajtor nga të gjitha Gjykatat e Kosovës.
Për gjatë këtyre dy viteve kishte tentime të kohë pas kohshme për ta rrëzuar kryetarin e FFK-së, por që të gjitha rezultuan pa sukses. Tani në kohën kur ai pritet që ta vuajë dënimin me burg flitet se dikush tjetër ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve.
FFK që dikur udhëhiqej nga Vokrri tani nuk po gjen rehati. Shumë persona kanë ambicie për të marr postin e kryetarit. Federata tani mund t’i ketë punët si Kosova në politikë me zgjedhje të shpeshta e kryeministra të ndryshëm në periudha të shkurtra. Ndoshta të gjithë që kanë synim kreun e FFK-së një ditë do ta kenë atë post.
Legjendë, shumë keq që na le kaq herët, por duhet të ndihemi me fat që ishe në krye të Federatës, kur ajo kishte nevojë më së shumti. Faleminderit për punën e palodhshme që bëre për pranimin në UEFA e FIFA. Pa kontributin tënd ne ndoshta nuk do të mund t’i shijonim ditët më me emocion e kënaqësi që ka ky popull, ditët kur luan Kombëtarja e Kosovës. /Reporteri.net/