×
  • Show Time
  • Show Time

    Rrëfimi prekës i Sabri Fejzullahut për kthimin në Prishtinë: E gjeta shkret

    Reporteri
    11 Qershor 2020 | 18:23

    Sot në emisionin “Frontal” në T7, ka qenë i ftuar këngëtari Sabri Fejzullahu, i cili sot është nderuar me çmimin “Çelësi i Kryeqytetit” nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Fejzullahu në 21 vjetorin e çlirimit të Prishtinës, ka rrëfyer përjetimin e tij për kohën e luftës dhe kthimin në Kosovë.


    Ai ka folur edhe për kohën kur ka qëndruar në Strugë bashkë me familjen.

    “Në ditën e Bajramit e thirra vëllain, më tregoi që janë të bllokuar të gjithë. Të gjithë kosovarët interesoheshim ku i kemi familjarët. Kur vinte mbrëmja, thoshim o Zot a do të fluturojnë aeroplanët për të bombarduar, o Zot a do të kthehemi”, ka thënë Fejzullahu në Frontal.

    Fejzullahu tha se gjatë kohës së luftës kur ishte larg Prishtinës, i mungonte qyteti por edhe njerëzit, për të cilët nuk dinte a ishin gjallë.

    “Nga Prishtina më mungonin njerëzit, nuk dija për fatin e askujt. Nuk dinim askush për askënd ku jemi, thosha a do të jemi të lirë athu. Njerëzit tregonin se kanë shkatërruar gjithçka në Prishtinë”, ka thënë ai.

    Fejzullahu tha se emocionet e kthimit në atdhe pas përfundimit të luftës janë të papërshkrueshme.

    “Prishtina ishte shkret, katastrofë, si çdo qytet. Më e keqja ishte se nuk e dinim si po ndodh me qytetet tjera. Ditën e parë kur kam ardhur në Prishtinë, në hotel Grand kam shku me pi kafe, kanë qenë do djem të rinj me veshje të UÇK’së, ka pasur edhe të huaj e gazetarë. Frikësohesha me hy, nuk e dija a kam të drejtë. Më thanë o axha Sabri, hyr, Kosova është e lirë, nuk ka më vrasës”, ka thënë Fejzullahu në Frontal.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!