Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë për gjendjen ekonomike në vend, duke thënë se rritja e kostos së jetesës po rëndon gjithnjë e më shumë buxhetin e familjeve kosovare.

Duke komentuar projektbuxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën rekord prej 4.27 miliardë eurosh, Hoti tha se madhësia e buxhetit nuk duhet të vlerësohet vetëm përmes shifrave të prezantuara, por përmes ndikimit që ka në jetën e qytetarëve.

Sipas tij, në pesë vitet e fundit kostoja e jetesës në Kosovë është rritur mesatarisht për 45 për qind, ndërsa çmimet e shumë produkteve të konsumit familjar janë gati dyfishuar.

Reklamë

“Buxheti nuk matet me shifrat në letër, por me cilësinë e jetës së qytetarëve. Në pesë vitet e fundit, sipas ASK-së, kostoja e jetesës është rritur mesatarisht për 45%, ndërsa për shumë produkte të konsumit familjar çmimet gati janë dyfishuar. Kur çmimet dyfishohen, jeta e qytetarëve bëhet më e vështirë. Propaganda për sukses ekonomik nuk e mbush shportën e konsumit të familjeve”, ka deklaruar Hoti.

Ai ka vlerësuar se diskutimi në Kuvend për buxhetin 2027-2029 duhet të përqendrohet në ndikimin e rritjes së çmimeve në jetën e qytetarëve dhe në përgjegjësinë për këtë gjendje.

Hoti ka ngritur tri çështje që, sipas tij, duhet të jenë në qendër të debatit: çfarë ka ndodhur me koston e jetesës së qytetarëve, kush mban përgjegjësi për këtë rritje dhe çfarë masash mund të ndërmerren për t’ua lehtësuar barrën familjeve.