Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli para deputetëve të Komisionit për Integrime Evropiane, është shprehur i sigurt se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndodhë brenda këtij viti.
Atij sigurinë për liberalizim të vizave ia japin deklarimet e zyrtarëve të BE-së, dhe takimet që ai thotë se ka realizuar me zyrtarë të Francës dhe Gjermanisë.
“Po e them këtë përgjegjësi se ky vit është vendimtar për Kosovën. Ne do të kemi viza gjatë këtij viti. Shpresoj që zgjedhjet evropiane të jenë në gjendje të forcojnë idenë e hapjes së Evropës për kosovarët dhe aq sa përcjell zhvillimet në fushatat elektorale nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh ideologjikisht. Kur e them këtë e dina se cilat parti e kanë mbështet Kosovën dhe konfigurimi do të jetë po thuajse i njëjtë”, tha Pacolli.
Ndaj këtij premtimi të Pacolli reagoi deputeti i Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi i cili i tha kryediplomatit kosovar se premtime të tilla ka dhënë edhe para dy vitesh.
“Folët për vizat por vizat janë dështim sepse këtë që e keni premtuar sot, e keni premtuar dhe para 2 vitesh, por që nuk janë realizuar dhe është dështim”, deklaroi Kurteshi.
Kujtojmë se kryeministri Ramush Haradinaj ka dhënë qershorin si muaj të mundshëm për heqjen e vizave.
Ndërsa “kampioni” i premtimeve për heqjen e vizave padyshim se është presidenti aktual Hashim Thaçi i cili ishte i pari qysh në vitin 2011, pra saktësisht para tetë viteve. /Reporteri.net/.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.