Filmi i regjisorit Visar Morina “Exil”, fitoi çmimin kryesor në Festivalin e Filmit në Sarajevë.
“Exil” u shpërblye me çmimin “Zemra e Sarajevës” për filmin më të mirë, në ceremoninë e mbajtur online para pak minutash.
Festivali i Sarajevës është ndër më të njohurit në Evropë. Kjo është hera e parë që një film kosovar merr çmimin kryesor.
Këtë vit juria e programit kryesor garues përbëhej nga regjisori francez Michel Hazanavicius, drejtori artistik i Festivalit të Berlinit Carlo Chatrian, aktorja kroate Jadranka Dokiq, regjisori serb Sërdan Goluboviq dhe nga ekspertja e industrisë nga Meksika, Andrea Stavenhagen.
“Jam shumë i gëzuar me çmimin, faleminderit! E kisha një vit shumë të ngarkuar në realizimin e këtij filmi dhe nganjëherë ndihesha më i humbur se karakteri i filmit, e ky çmim më ndihmon shumë. Falemnderit jurisë dhe festivalit”, ka thënë Morina, përcjell Qendra Kinematografike e Kosovës.
Filmi i Morinës, sot mori edhe një çmim tjetër, atë nga magazina evropiane ”Cineuropa” për regjinë më të mirë.
Filmi, një bashkëprodhim i Kosovës me disa shtete të tjera, rrëfen tregimin e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili ndjehet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës, gjë që e zhytë atë në krizë të identitetit.
Në filmin “Exil” rolet kryesore i luajnë: Sandra Huller, Mishel Matieviq, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj, Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Ameli Kabashi e disa të tjerë.
Ky edicion i Festivalit të Sarajevës kishte një prezencë të madhe të kinematografisë se Kosovës ku përveç pjesëmarrjes së filmit “Exil”, ishin edhe “Galaktika e Andromedës”, premier botërore nën regji të More Raçës, pastaj “Zana” dhe “Vera Andrron Detin”.