Treshes së famshme të Televizionit 7, nga sonte do t’i mungojë prezantuesja e famshme Adelina Hasani, shkruan Reporteri.net.
Lajmi për largimin e saj është bërë publik në emisionin “Sonte” ku Adelina ka qenë moderatore. Adelina bashkë me Shpend Lipën e Amir Mjekun para dy viteve i janë bashkuar T7-it dhe kanë qenë një trio perfekte.
“Ka qenë një prej aventurave më të mira që e kam kaluar gjatë jetës sime”, ka thënë ajo mes lotësh.
“Rrugëtimi im në T7 përfundon sonte. Dua t’i falënderoj të gjithë”, ka thënë ajo duke i falënderuar kolegët e saj për bashkëpunimin dhe besimin që i kanë dhënë gjatë dy viteve që ka punuar në këtë televizion.
“T7 e ka një pjesë të zemrës time. Këto dy vite kanë qenë intensive. T7 po ja lën dy shokët më të mirë.Kënaqësia ime më e madhe është që unë po dalë nga ky vend me shumë dashuri”, ka thënë moderatorja shumë e emocionuar.
“Ndiqni ëndërrat dhe pasionet me çmendurinë më të madhe. Vlerësoni gjithçka që keni përreth duke ruajtur njerëzit e zemrës”, ka thënë ajo pa mundur t’i ndalë lotët.
Adelina, Shpendi dhe Amiri deri para dy viteve kanë qenë pjesë e KTV-së. Ata gjithashtu e kanë moderuar edhe programin e mëngjesit të T7 “Gjesi”.