Nuk janë të pakta rastet kur shqiptarët besojnë në magjinë e zezë, të quajtur ndryshe si sehire në gjuhën e popullit.
Së fundmi, hoxha i njohur kosovar, Drilon Gashi, ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook disa pamje nga një faqe që pretendon se shëron njerëzit nga magjia e zezë, shkruan Reporteri.net.
Në fotografi shihet se në një shtëpi është demoluar krejtësisht dera, ku sipas tyre janë gjetur disa shenja të magjisë së zezë.
Në atë faqe thuhet se janë gjetur tek dyert e shtëpisë flokë qime të lidhura në nyje.
Mjafton një klikim në këtë faqe dhe dalin postime të shumta sipas të cilave dëshmojnë se magjia e zezë dhe sehiret ekzistojnë dhe që ata mund t’i largojnë ato.
Hajmali, penj, dhe, qime të lidhura e shumëçka tjetër shfaqet në profilin e faqes ‘Rukje-Sherim-Shkup’ në Facebook.
E hoxha Gashi i cili kohë më parë pati deklaruar se të tilla gjëra nuk ekzistojnë, ka ironizuar me postimin duke thënë se e paskan thyer edhe derën duke u munduar të gjejnë gjurmët e djallit (dreqit).
Ai ndër të tjera pati thënë se djalli (dreqi) nuk ekziston dhe se nuk ka botë të përtejme e as xhenet e as xhehenem.
“Edhe nëse ka aty mund të hyjë secili që nuk bën punë të liga dhe ai i cili nuk ka njohuri për rregullat që ka zbritur Zoti në Tokë me anë Kuranit, Bibles etj”, ka thënë ai.
Ky është postimi i plotë i hoxhës:
E paskan thyer edhe derën, duke u mundu t’i gjejnë gjurmët e dreqit ?.
Bestëytnia nuk është mahi…
/Reporteri.net