Derisa imunizimi kundër koronavirusit pritet të nisë këtë të diel në vendet e Bashkimit Evropian, doktor Tobias Welte, nga Qendra gjermane për Sëmundje Infektive, nuk është optimist se normaliteti do të kthehet përpara verës.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Welte thotë se vaksina Pfizer/BioNTech është e sigurt dhe parandalon sëmundjen e rëndë nga koronavirusi, por ai paralajmëron se jo gjithçka është “bardh e zi” dhe se efektet afatgjate të vaksinës duhet të monitorohen.
Welte porosit ata që kundërshtojnë vaksinimin se parandalimi i përhapjes së koronavirusit “është përgjegjësi sociale”.
Ai po ashtu tregon se çfarë ka shkuar keq me Gjermaninë, e cila sot thyen rekorde të të infektuarve. Ky vend, ka qenë dikur model i trajtimit të krizës me koronavirus.
Doktor Welte, rregullatorët e Bashkimit Evropian e kanë miratuar vaksinën Pfizer/BioNTech më 21 dhjetor, gati tri javë pasi rregullatori britanik ia ka dhënë asaj dritën jeshile. A jemi vonuar?
Tobias Welte: Duhet bërë dallim midis asaj që ka bërë SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar dhe asaj që ka bërë BE-ja. SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë bërë të ashtuquajturin pranim emergjent të vaksinës. Në këtë rast, nëse paraqiten efekte anësore, ju si pacient që jeni vaksinuar, jeni vetë përgjegjës.
BE-ja, në anën tjetër, ka bërë pranimin profesional të vaksinës. Kjo do të thotë se për çfarëdo efekti anësor, përgjegjëse janë kompanitë farmaceutike. Nga perspektiva epidemiologjike, tri javë më herët ose tri javë më vonë nuk bëjnë ndonjë ndryshim.
Por, vendi juaj, Gjermania, dhe të tjerë kanë bërë presion që të nisë vaksinimi. Pra, jeni të bindur se të gjitha kontrollet e sigurisë janë kryer…
Tobias Welte: Mendoj se nuk është bardh e zi. E dimë se në një periudhë afatshkurtër, vaksina është e sigurt, është efikase. Por, ne nuk kemi të dhëna afatmesme apo afatgjate. Çdo herë mund të ndodhin efekte anësore. Gjatë pandemisë së gripit të derrave, vaksina suedeze Pandemrix ka shkaktuar narkolepsi te të rinjtë dhe të rejat dhe ajo është paraqitur 6 deri në 12 muaj pas vaksinimit.
Këto janë gjëra që tani për tani nuk i dimë, andaj duhet ta përcjellim me kujdes programin e vaksinimit kundër koronavirusit. Ajo që mund të themi është se me përvojën që kemi tani, vaksina është e sigurt. Ajo që do të vijë më vonë, duhet të vëzhgohet.
Deri në 60 milionë të vaksinuar në Gjermani deri në verë.
Kur mendoni se publiku i përgjithshëm do ta marrë vaksinën?
Tobias Welte: Programi zhvillohet javë pas jave, muaj pas muaji. Këtu në Gjermani nis me të moshuarit mbi 80 dhe 90 vjeç. Është rekomanduar që në shkurt ose mars të vazhdojë me pacientët onkologjikë. Do të jetë verë kur shumica e popullsisë do të vaksinohet.
Kur mendoni se vaksina do ta lejojë kontrollin e pandemisë?
Tobias Welte: Ne e dimë se vaksina është efektive për të parandaluar sëmundjen e rëndë. Por, nuk e dimë nëse është efektive në ndalimin e transmetimit të virusit. Mund të ndodhë që nuk jeni të sëmurë, por të jeni infektues. Kjo është diçka që duhet të zbulohet. Andaj, duhet të vazhdojmë me masat mbrojtëse, si maska, distanca. Jam i sigurt që nuk do t’i kthehemi normalitetit deri në verë, por mund të jetë edhe më vonë.