×
  • Lajme
  • Lajme

    Pa tender të hapur, Ministria e Aliut e Durmishit i jep një kompanie mbi 85 mijë euro tjera nga buxheti i shtetit

    Reporteri
    29 Korrik 2021 | 15:04

    Autor: Arlinda Rrmoku


    Tenderë të mbyllur, përmes procedurës së negocimit, po vazhdohen të japen në Ministrinë e Infrastrukturës, e drejtuar nga Liburn Aliu e zëvendësi i tij, Hysen Durmishi, të Lëvizjes Vetëvendosje. Së fundi, mbi 85 mijë euro tender në mënyrë një burimore, kjo Ministri i ka paraparë t’ia jap kompanisë N.N.T. “A.B.C.” nga Podujeva, për “Asfaltimin e Rrugëve në Kamenicë”.


    Vetëm një javë pasi grupi i operatorëve ekonomik “Velkom KS SH.P.K.”; “AE Consulting, Inc.”, fitoi kontratë pa tender, në vlerë 226 mijë euro për zgjatjen e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Ministria e Infrastrukturës i ka paraparë t’i shpërndajë mbi 85 mijë euro tjera nga buxheti shtetit tek një operator tjetër ekonomik, përmes procedurës së negocimit.

    Fjala është për N.N.T. “A.B.C.”, në pronësi të biznesmenit nga Podujeva, Arben Jetullahu, e cila ka fituar kontratë 85.040,29 euro nga Ministria e Infrastrukturës për asfaltimin e rrugëve në Kamenicë, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

    E krejt kjo është bërë në mënyrë burimore, pa tender të hapur, përmes procedurës së negocimit, sikurse janë dhënë në muajt e fundit edhe një mori tenderësh tjerë nga kjo Ministri që drejtohet nga dyshja e VV-së, Liburn Aliut ministër, e Hysen Durmishi zëvendësministër.

    Data e përgatitjes së njoftimit për dhënien e kontratës në fjalë është 23 korrik 2021.

    Derisa, edhe ky tender i mbyllur është prokuroruar nga Nexhat Krasniqi, shefi i dënuar për korrupsion i prokurorimit në MI, që njëherësh është edhe personi kontaktues i Ministrisë së Aliut e Durmishit. Derisa, 26 korriku 2021 sipas dokumentit rezulton të ketë qenë data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës me N.N.T. “A.B.C.”, shkruan Reporteri.net.

    “Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues në bazë të nenit 108/A te ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092 ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për dhënie te kontratës”, thuhet si informatë plotësuese në dokument.

    Ndryshe, Ligji për Prokurim Publik, e specifikon se procedurat e negociuara, si në rastin e këtij tenderi, aplikohet në rrethana të veçanta ku autoriteti kontraktues fton dhe këshillohet me operatorët ekonomik të zgjedhur nga ai për t’i negociuar kushtet e kontratës me njërin ose më shumë prej tyre.

    Ndërsa, procedurë e hapur nënkupton procedurat e prokurimit që i lejojnë çdo operatori të interesuar ekonomik të paraqet tender e t’i hyj garës për ta fituar atë.

    Në Ministrinë e Infrastrukturës, sipas raportimeve të medieve, prej kur drejtohet nga ministri Liburn Aliu dhe zëvendësi i tij Hysen Durmishi, janë shpërndarë mbi 5 milionë euro përmes tenderëve të dhënë pa procedura të hapura.

    Nga ana tjetër, Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka raportuar të martën se si e njëjta Ministri, ka negociuar dhe nënshkruar pa tender të hapur një kontratë në vlerë 226 mijë euro, që lidhet me zgjatjen e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Kjo kontratë e nënshkruar para gati dy javësh, në procedurë të mbyllur negocimi, i është dhënë grupit të operatorëve ekonomik “Velkom KS SH.P.K.”; “AE Consulting, Inc.”. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!