Data 17 tetor po shënon zgjedhjet lokale në Kosovë, ku që nga ora 07:00 janë hapur qendrat e votimit, dhe qytetarët sot vendosin se kush të udhëheqë në komunën që ata votojnë.
Disa nga politikanët tanimë kanë votuar, ku të pranishëm në qendrat votuese, të pranishëm me ta ishin edhe bashkëshortet e tyre, shkruan Reporteri.net.
I pari nga krerët e partive që votoi ishte Ramush Haradinaj, i cili përkrah kishte bashkëshorten e tij Anitën.
Të dy votuan në shkollën e mesme “Ali Sokoli”, ku Haradinaj tha se qytetarët duhet të dalin në votime, e mos ta lënë votën në shtëpi.
Uran Ismaili nga PDK gjithashtu u pa me bashkëshorten e tij, Arizonën.
Çifti votuan në shkollën fillore “Ismail Qemaili”, ku Ismaili u shpreh para medieve se me padurim po e pret rezultatin.
Gjatë ditës ka votuar edhe Arben Vitia nga VV, i cili së bashku me bashkëshorten e tij votuan në shkollën “Ali Sokoli”.
“Sot është një ditë shumë e rëndësishme për Prishtinën, sot flasin qytetarët dhe është e rëndësishme të zgjedhin atë që mendojnë. Sa më masive dalja e qytetarëve, aq më i fortë është verdikti i tyre”, ka thënë Vitia.
Gjithashtu në një nga qendrat e votimit në Prishtinë u pa edhe Memli Krasniqi me bashkëshorten e tij.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku gjithashtu ishte me bashkëshorten e tij për të votuar në një nga qendrat e votimit në Prishtinë.