Një serial i ri korean shumë i suksesshëm, i cili është në rrugën e duhur për të fituar po aq vëmendje sa seriali gjerësisht i popullarizuar “Squid Game”, tani po transmetohet në Australi.
Me zhurmën e krijuar nga “Squid Game” që më në fund filloi të shuhet pasi u bë seriali më i shikuar i Netflix-it në mbarë botën, një dramë e re koreano-jugore e titulluar “My Name” mendohet të jetë hiti tjetër i madh.
Seriali me tetë episode flet për personazhin Yoon Ji-woo, e cila po kërkon hakmarrje pasi babai i saj gangster u vra me gjakftohtësi në ditëlindjen e saj të 17-të, shkruan DailyMail.
Ajo bashkohet me bandën Dongcheon, të drejtuar nga miku i babait të saj dhe shefi i krimit Choi Mujin, i cili e stërvit atë në palestrën e tij të arteve marciale.
Ji-woo më pas bashkohet me forcën e policisë së fshehtë ndërsa përpiqet të gjejë vrasësin përgjegjës për vdekjen e babait të saj, duke i çuar shikuesit në një udhëtim të egër.
Seriali “My Name” u transmetua për herë të parë në Netflix më 15 tetor dhe tashmë ka fituar vlerësime mes shikuesve për kinematografinë, aktrimin dhe skenarin e tij të denjë.
Tashmë është ngjitur në Top 10 të serialet më të shikuara në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka marrë një vlerësim 8.0 në IMDb, që është vetëm 0.1 larg “Squid Game”, i cili në IMDb vlerësohet me notën 8.1.
“Squid Game” bëri histori kur Netflix lëshoi lajmin se 111 milionë abonentë në mbarë botën kishin parë tashmë serialin koreano-jugor.
Seriali është bërë një fenomen i kulturës pop dhe ishte një zgjedhje popullore e kostumeve për festën e Halloweenit këtë vit.