Kandidati i PDK-s për kryetar të Klinës, Esat Raci, mbrëmë ka takuar banorët e fshatrave Çabiq, Gllarevë dhe Caravik.
Raci ka thënë se qytetarëve të Klinës nuk u duhen edhe 4 vjet qeverisje si këto që po i lëmë pas më 14 nëntor. Ai ua ka kërkuar votën, duke u zotuar që së bashku do ta ndërtojnë një të ardhme më premtuese për të gjithë.
“Në Çabiq, Gllarevë, Caravik dhe gjithandej Klinës po shoh shpresë, vullnet dhe vendosmëri për ta ndryshuar qeverisjen. Qytetarëve të Klinës nuk u duhen edhe 4 vjet qeverisje si këto që po i lëmë pas më 14 nëntor. Klina meriton më shumë dhe nuk ka më kohë për të humbur me dikë që plot 4 vjet e kishte mundësinë të dëshmohej.
Bashkë me partnerët, bashkë me qytetarët e Klinës, ne menjëherë do ta nisim punën për ta çuar besimin e klinasve në vendin e duhur, përmbushur pritjet e tyre dhe realizuar zotimet tona.
Më 14 nëntor e kërkoj votën tuaj, që së bashku të mund ta ndërtojmë një të ardhme më premtuese për të gjitha familjet tuaja, për të rejat dhe të rinjtë, për gratë dhe burrat, për gjithë njerëzit punëtorë të Klinës.
Në votën tuaj është e ardhmja juaj. Në numrin 177 është e ardhmja e Klinës!”, ka shkruar Raci.