Kandidati i AAK-së për kryetar të Gjakovës, Ardian Gjini, tha se ka arritur dakordim për koalicion në komunën e Gjakovës me Partinë Shqiptare Demokristiane, Partinë Demokratike dhe Lidhjen Demokratike.
Megjithatë, ai shtoi se deri tani nuk ka formalizuar marrëveshje me asnjërën nga këto subjekte.
“Unë kam pasë bisedime shumë të hapura, të pastra me Partinë Shqiptare Demokristiane dhe me Partinë Demokratike të Kosovës dhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ekziston një dakordim serioz që të shkojmë bashkë, por nuk kemi biseduar për detaje, nuk kemi biseduar për drejtori po ka dakordim që të shkojmë bashkë me Lidhjen Demokratike ende nuk kemi dakordim, por ka bashkëpunim, gjasat janë shumë reale.”, tha ai në Rubikon.
“Si do të jetë qeverisja pas rundit të dytë varet edhe nga votat për asamble të cilat tashmë dihen por nuk mund t’i dimë modalitetet për momentin, por e kam tepër të qartë që tri partitë politike, strukturat e tyre kanë vullnet që të shkojmë bashkë, si do të jenë marrëveshjet nuk mund ta di”.
“Nëse e shohim dallimin e votave të kandidatëve dhe votave për asamble komunale është e pashmangshme që unë duhet t’i respektoj, sepse nga ato parti kanë ardhur nuk kanë ardhur prej diku tjetër dhe kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm në këtë fazë”, tha Gjini.