Kandidati i AAK-së për kryetar të Gjakovës Ardian Gjini, i cili ka udhëhequr me këtë komunë në mandatin e fundit, tha se komuna e Gjakovës është më transparentja në vend, duke theksuar se kjo komunë është institucioni i parë buxhetor që ka publikuar kontratat e prokurimit.
“Komuna e Gjakovës është institucioni i parë buxhetor në Kosovë që ka filluar t’i publikojë të gjitha kontratat e prokurimit. Të parët jemi, as komuna, as ministri, as institucione të tjera nuk i kanë publikuar para nesh. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që Komuna e Gjakovës praktikisht ka dashur t’i nxjerrë edhe ato që asnjë komunë para nesh nuk i ka nxjerrë, jo vetëm për tika në transparencë, i kam mbajtur kaq mbledhje, apo kaq dëgjime publike, por i kemi nxjerrë edhe dokumentet që të gjithë i konsiderojnë më sensitivet. E kemi bërë të parët, më vonë pas disa muajsh kanë nisur edhe disa komuna të na ndjekin”.
“Te transparenca buxhetore, edhe sipas institutit GAP, jemi të parët në Kosovë që është tepër interesant. Sipas programit Team USAID Gjakova prin edhe në të gjitha procedurat e prokurimit, jo vetëm që është rritur vëllimi i prokurimit disafish dhe nuk po flas 10 për qind apo 20 për qind, por disafish 300-400%, prapë Gjakova ka arritur që të jetë një nga komunat më transparente dhe vlerësohet si e tillë”, tha Gjini në Rubikon të Klan Kosovës.
Kundërkandidatja e Gjinit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, iu kundërpërgjigj duke thënë se bazën e transparencës e ka vendosur ajo sa ishte kryetare e komunës.
“Janë vendosur bazat për atë që dihet si komuna më transparente pasi projekti i Team USAID është nënshkruar në kohën kur unë isha kryetare e komunës në vitin 2017. Është vënë sepse është nënshkruar në vitin 2017, USAID është ende në Kosovë, kontrata dhe nënshkrimi i saj është ende publik, kam qenë prej fazave të para të dëgjimit kur është bërë për projektin dhe jemi dakorduar që jemi komuna e cila i publikon kontratat, pra nuk është se është në vullnetin e lirë të një administrate komunale aktualisht për arsye se ka shumë gjera të tjera që shumë keq menaxhohen në aspektin e prokurimit siç është rasti i prokurimit të lumit Krena në të cilin fiton kompania që ka dalur e dhjeta më e shtrenjta në çmim në dosje të tenderit. Ka raste kur për shembull kryetari Gjini u ka kërkuar kompanive të tërhiqen për arsye të ndryshme, ndërhyrje në procese të prokurimit e kështu me radhë”, tha Kusari Lila.