Nga sonte, do të nis transmetimi i emisionit të parë hulumtues në Kosovë, me elemente të show-it, i cili përmes hulumtimeve dhe satirës do të pasqyrojë dukuritë negative që ndodhin në vend. “Kiks Kosova” shfaqet nga kjo javë, çdo të martë, prej orës 22:00 në Klan Kosova.
Producentja e emisionit “Kiks Kosova”, Ardiana Thaçi, në një bisedë për Gazetën Online Reporteri.net foli më shumë rreth emisionit. Tregoi se “Kiks Kosova” do të përmbajë të gërshetuar hulumtimin, satirën dhe humorin.
“I pari show hulumtues në Kosovë, Kiks paraqet pa filtra secilën dukuri negative që ndodh në Kosovë dhe jashtë saj. Hulumtimet dhe gjetjet në terren ndeshen në studio me provokimin satirik, i cili vihet në funksion të të parit në një tjetër këndvështrim të ngjarjeve politike, korruptive e sociale”, tha gazetarja e emisionit, që përveç producente do të jetë edhe autore/prezantuese e Kiks Kosova.
Shton se “Kiks Kosova” do të pasqyrojë jo vetëm dukuritë e fenomenet që ndodhin larg syrit të publikut, por edhe ato në sy të tyre.
Bashkë me Thaçin, bashkë-autore e emisionit, do të jetë edhe gazetarja Erjona Gjikolli.
“Kiks Kosova do të pasqyrojë jo vetëm dukuritë, ngjarjet, fenomenet që ndodhin larg syrit të publikut, por edhe ato në sy të tyre. Përmes kësaj forme të satirës hulumtuese, Kiks Kosova do të jetë syri dhe veshi i publikut, i cili mëton të denoncojë dhe godasë të këqijat që po jua zënë frymën, duke e çuar zërin tuaj aty ku problemet tuaja gjejnë zgjidhje”, tregoi Erjona Gjikolli, në bisedën për Reporteri.net.
Për ju sinjalizuesë që doni që të këqijat brenda institucioneve ku punoni të dalin në shesh dhe të publikohen, mos hezitoni t’i denonconi ato në “Kiks Kosova” përmes numrit të telefonit 043 250 250 ose në cilindo nga rrjetet socialet të emisionit.
“Ne ju premtojmë se gjithë ankesat, sinjalet dhe problemet tuaja, do të trajtohen e hulumtohen me kujdes të veçantë e profesionalizëm. Dhe, po ashtu, do të ruajmë konfidencialitetin tuaj”, thotë prodeucentja e emisionit, Ardian Thaçi.
Emisioni “Kiks Kosova” me producente Ardiana Thaçin dhe nën bashkë-drejtim me Erjona Gjikollin do të shfaqet nga kjo javë në Klan Kosova, çdo të martë, duke filluar nga ora 22:00.