×
  • Lajme
  • Lajme

    Eksperti që u pagua 12 mijë për sanimin e bllokut B2 në KEK nuk është gjerman, por spanjoll

    Reporteri
    26 Janar 2022 | 10:47

    Eksperti i shumë përfolur, i cili ka ndihmuar që blloku B2 i termocentralit ‘Kosova B’ të kthehet në funksion, nuk është gjerman.

    Gazeta Infokus shkruan se eksperti, i cili u pagua 12 mijë euro në ditë për të asistuar inxhinierët në Korporatën Energjetike të Kosovës në sanimin e dëmeve në bllokun B2 është, Antonio José Gallego Rico, i cili me nacionalitet është spanjoll, me prejardhje nga Andalucia në Spanjë.

    Ai punon për kompaninë gjermane “GE Steam Power Service France Representative”, e cila u kontraktua për ti dalë në ndihmë KEK-ut për riparimin dhe sanimin e dëmeve.

    Kryeministri i vendit Albin Kurti, në një konferencë për media me datën 16 dhjetor, pasi vizitoi KEK-un tha se për kthimin në punë të bllokut B2 do të vijë një ekspert nga Altsomi gjerman.

    “E kemi lajmin e mirë se njëri bllok i Kosova B është kthyer në punë por tjetri bllok akoma jo dhe duhet një investigim me pa shkakun e defektit që të riparohet. Kemi nevojë për një ekspert që do të vijë nga Alstomi gjerman që do ta bëjë këtë hulumtim dhe ta sanojmë edhe defektin në bllokun tjetër të Kosova B dhe të operojmë me kapacitetin e plotë”, tha Kurti.

    E në kontratën e publikuar nga Zyra e prokurimit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), u tha se kompania e kontraktuar do të paguhej afro 250 mijë euro për 21 ditë që për një ditë ky ekspert mori nga buxheti i Kosovës, rreth 12 mijë euro.

    Kurti premtoi se ky bllok do të kthehej në funksion deri me 20 janar, madje tha që kjo mund të ndodhte edhe më herët. Mirëpo përfundimisht ky bllok u rregullua dhe u kthye në funksion me 21 janar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!