Autor: Fortuna Shkodra Haliti
Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, është i gatshëm edhe këtë herë t’i grumbullojë votat po që se mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, thonë për Gazetën Online Reporteri.net nga ky mision.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë vazhdon të jetë i gatshëm për të kryer grumbullimin e votave me kusht. OSBE-ja, përmes misionit të saj, ka bërë mbledhjen e votave për zgjedhjet serbe në Kosovë që nga viti 2012, e mbështetur nga institucionet e Kosovës, përfshirë Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Megjithatë, kjo ka qenë gjithmonë e bazuar në marrëveshje të ndërsjellë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, dhe pëlqimit të të gjitha institucioneve relevante për një operacion të tillë”, thuhet në përgjigjen e OSBE-së për Reporteri.net.
Kurti: Të mos cenohet shtetësia e Kosovës
Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është në kontakt me ambasadat e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Italinë dhe Gjermaninë) dhe të Bashkimit Evropian, që të gjendet një zgjidhje për serbët në Kosovë, të cilët duan të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 3 prillit në Serbi.
Kurti ka thënë se Qeveria synon që të drejtat e serbëve të mos shkelen, por gjithashtu, edhe të mos cenohet shtetësia e Kosovës.
“Konsiderojmë që në njërën anë, nuk duhet t’iu pamundësojmë serbëve në Kosovë, që e kanë përveçse nënshtetësinë e Kosovës edhe atë të Serbisë, ta kenë të drejtën e votës, mirëpo në anën tjetër, kushtetushmëria, ligji në Kosovë, rezoluta e fundit e Kuvendit, e 15 janarit, neve na e obligojnë bazën e çfarëdo zgjidhjeje që do të marrim në të ardhmen”, u shpreh kryeministri Kurti më 15 mars.
Gazeta Online Reporteri.net ka kërkuar përgjigje shtesë nga Zyra për media në Qeverinë e Kosovës rreth asaj se çka është arritur deri tash, apo se çka është biseduar, megjithëse deri në momentin e publikimit të artikullit, ajo nuk ka kthyer përgjigje.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, po ashtu tha se Kosova do ta shqyrtonte mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe, nëse Beogradi zyrtar i dërgon kërkesë Qeverisë së Kosovës.
“Përgjigja e institucioneve të Kosovës, tashmë e konfirmuar edhe në nivel të legjislativit, është që vetëm në një pranim të kërkesës zyrtare nga shteti i Serbisë drejtuar shtetit të Kosovës me kërkesë bazuar në ligjet e aplikueshme të Kosovës dhe në praktikat evropiane, do të shqyrtohej ajo kërkesë dhe do të merrej vendimi për apo kundër mbajtjes së zgjedhjeve”, ishte shprehur Kusari-Lila më 14 mars.
Për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe kërkesës, Reporteri.net ka pyetur edhe Qeverinë e Serbisë dhe Komisionin Zgjedhor të këtij vendi, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshime kushtetuese.
Vendet e QUINT-ut dhe BE-ja, nuk e patën mirëpritur këtë vendim të Qeverisë së Kosovës.
Serbia në të kaluarën zhvilloi zgjedhjet në territorin e Kosovës
Që nga fundi i luftës në Kosovë, votimet për zgjedhjet e Serbisë mbahen me ndihmën e OSBE-së. Misioni i OSBE-së ka organizuar zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë edhe në Kosovë, e prej vitit 2012 edhe ato lokale.
Dyshtetësia serbëve ua lejon votimin edhe për shtetin e të cilit e kanë pasaportën, por kjo në raste të tjera zakonisht bëhet përmes postës ose me votim në ambasadën e shtetit përkatës, e jo në qendra votimi.
Më 3 prill në Serbi pritet të zhvillohen zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare.
Zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat Serbia i organizoi në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë, u mbajtën më 21 qershor, 2020./Reporteri.net