Për tri ditë, katër sulme të armatosura kanë ndodhur ndaj Policisë së Kosovës në veriun e vendit. Për t’i kryer këto sulme u përdorën duke nisur nga iriqët metalikë, automatikët AK-47, granatat e dorës, e armë të tjera.

Të gjitha këto detaje i zbardhën në një konferencë për media drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dhe ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla.

Ky i fundit shkoi më tej. Tha se sulmet janë terroriste.

Reklamë

“Ky sulm tashmë i faktuar me granatë dore dhe armë AK 47 si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë por edhe të gjithë qytetarëve tanë. Grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar 4 sulme në atë zonë”, tha Sveçla sot para mediave.

Katër sulme ndaj Policisë së Kosovës në veri, pamjet e granatës që u përdor dhe veturës së dëmtuar

E përsëriti këtë edhe kur gazetarët i bënë pyetje që nuk lidheshin me këtë zhvillim, që për të ishte “budallallëk”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Ne po flasim për një sulm terrorist e ju merreni me budallallëqe të këtilla”, tha ministri i Brendshëm.

Reklamë

“Të nderuar media unë veç se ju thashë që është një konferencë e jashtëzakonshme që ka të bëjë me një varg sulmesh terroriste ndaj Republikës së Kosovës dhe do të flasim vetëm për këtë”, shtoi ai.

Disa orë pas kësaj konference ka reaguar BE-ja përmes zyrës së saj në Prishtinë. Për dallim nga Ministri i Brendshëm i Kosovës, që sulmin e cilësoi si “terrorist”, Zyra e BE-së e ka cilësuar vetëm si “sulm të dhunshëm ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës në Komunën e Zubin Potokut”, ngjarjet e orëve të hershme të 15 prillit në Veri të vendit.

Sveçla: Policia e Kosovës në veri sot u sulmua me granata dore, ky është akt terrorist

Reklamë

“Policia e Kosovës është ofruesja kryesore e sigurisë dhe përdorimi i forcës kundër zyrtarëve është i papranueshëm”, thuhet në reagimin që dënon sulmet ndaj policisë së Kosovës në Veri.

Tutje, Zyra e bllokut evropian në Prishtinë u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin spekulimet e panevojshme, të cilat mund të nxisin edhe më shumë tensionet.

Nga ana tjetër, sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, afërsia e sulmeve lë të kuptohet se, “kemi të bëjmë me një grup të organizuar, i cili ka për qëllim të sulmojë dhe të pengojë punën e Policisë së Kosovës, me theks të veçantë luftën kundër kontrabandës dhe tregtive të ndryshme”. Në automjetin e Policisë së Kosovës që u sulmua të premten në veri të vendit, po udhëtonin pjesëtarë të PK-së shqiptarë dhe serbë.

Në konferencë nuk është bërë e ditur nëse ka pasur të lënduar në këtë sulm ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ndërsa ministri i Brendshëm, Sveçla, ka thënë se me këto raste do të merret Prokuroria Speciale. /Reporteri.net/.

Reklamë

Bashkimi Evropian dënon ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri