Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i është kundërpërgjigjur kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës, i cili ka shfaqur ambicie për tu bërë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“…Viti 2027 është vit i zgjedhjeve të brendshme me të gjitha vlerat të cilat i sublimon LDK. Ne jemi parti e vlerave të demokracisë, garës së drejtë dhe mirënjohës për të gjithë ata që kontribuan e ndërtuan për 37 vite këtë aset kombëtar” – ka shkruar ai në Facebook.

Gjithashtu, ai ka thënë se pa u hapur gara nuk është mirë të shkaktohet debat se kush është më i miri për garën e brendshme.

Reklamë

“…Pa e hapur garën zgjedhore e kalendarin në të gjitha nivelet, nuk i kontribuojmë demokracisë së saj nëse shkaktojmë debat se kush është më i miri për garën e brendshme… Rruga evropiane e Kosovës kalon nëpër zyrat e LDK-së dhe partnerëve të saj. Koha për mirëbesim, bashkëpunim e marrëveshje të madhe, që gara e ardhshme zgjedhore t’i bashkojë të gjithë qytetarët në shpresë e besë për LDK-në dhe shqiptarët”,  ka thënë Haziri.

Ky reagim vie pas kërkesës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës, i cili kërkoi dorëheqjen kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut.