Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten pasdite ka mbledhur strukturat e sigurisë së Kosovë, pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në veri, mëson nga burimet në Presidencë Gazeta Online Reporteri.net.
Reporteri.net ka mësuar se presidentja Osmani është duke diskutuar me këto struktura për situatën e sigurisë dhe hapat e mëtutjeshëm, pas sulmeve të këtyre ditëve.
Për sulmet, reaguan edhe Bashkimi Evropian dhe Ambasada amerikane në Kosovë.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dënuar ashpër atë që e ka cilësuar “sulm të dhunshëm ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës në Komunën e Zubin Potokut”, në orët e hershme të 15 prillit.
“Policia e Kosovës është ofruesja kryesore e sigurisë dhe përdorimi i forcës kundër zyrtarëve është i papranueshëm”.
Zyra e bllokut evropian në Prishtinë u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin spekulimet e panevojshme, të cilat mund të nxisin edhe më shumë tensionet.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po ashtu ka dënuar ashpër sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri.
“Ambasada e SHBA-së është thellësisht e shqetësuar nga raportimet për të shtëna me armë dhe gurë të hedhur në drejtim të zyrtarëve kosovarë, gjatë zbatimit të ligjit në Zubin Potok. Këto sulme ndodhën ndërsa autoritetet sovrane përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, po kryenin detyrat e tyre zyrtare. Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të mjerueshme, të pajustifikueshme”, thuhet në reagim.
Përveç dënimit të sulmeve, SHBA-ja ka paralajmëruar edhe kundër spekulimeve që rrisin tensionet në këtë situatë.
“Zyrtarët e zbatimit të ligjit janë përgjegjës për hetimin e situatës. Ne paralajmërojmë kundër spekulimeve që do të rrisin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë thelbësore”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre./Reporteri.net