Vala e “zbutjes së papunësisë” ka prekur edhe gruan e të parit të ushtrisë së Kosovës, Drita Simnica Ramën.
Gruaja e Rrahman Ramës është punësuar si udhëheqëse e një prej konvikteve që udhëhiqet nga Qendra e Studentëve, shkruan Reporteri.
Sipas dokumenteve që ka siguruar Reporteri.net, njoftimi për pranim të zonjës Simnica-Rama është publikuar më datë 26 dhjetor të vitit që shkoi dhe është nënshkruar nga menaxherja e personelit, Nazmie Shala.
Për këtë rast Reporteri është munduar të kontaktojë me komandantin e FSK-së, Rrahman Ramën, përmes shefit të kabinetit të tij, Jeton Dreshajn, mirëpo ai nuk është përgjigjur në thirrjet e gazetës.
Sidoqoftë, punësimi i zonjës Simnica-Rama konfirmohet nga dokumentet që janë publikuar nga vetë institucioni ku ajo po merr pagë tash e sa muaj.
Ndërkohë, punësimet e njerëzve me ndikim politik ose të afërm të politikanëve janë shtuar kohës së fundit, sidomos në disa prej kompanive publike të mëdha. Për këto çështje, madje, folën dje edhe kryeministri Haradinaj dhe kryeparlamentari Veseli, të cilët pranuar se nepotizmi është i dukshëm në Kosovë.
Ndryshe, Rrahman Rama udhëheqë që prej 5 vitesh me FSK-në dhe, vetëm pak ditë pasi gruaja e tij gjeti punë, atij iu zgjat mandati edhe për 5 vjet nga presidenti Hashim Thaçi./Reporteri.net
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.