×
  • Lajme
  • Botë

    Papa kërkon të krijohen korridore humanitare për migrantët

    Reporteri
    07 Korrik 2019 | 17:43

    Papa Françesku ka bërë thirrje për hapjen e “korridoreve humanitare”, që do të ndihmonin në shpëtimin e migrantëve.


    Këto komente të Papës vijnë pasi javën e kaluar, nga një sulm ajror në Libi, u vranë dhjetëra persona në një qendër ndalimi.

    “Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të pranojë incidente kaq të rënda”, tha Papa, gjatë fjalimit të tij në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

    “Shpresoj që do të krijohen korridore humanitare për migrantët, që më së shumti kanë nevojë”, tha Papa.

    Të paktën 53 migrantë u vranë të martën mbrëma, pasi qendra e ndalimit ku ata gjendeshin, në periferi të Tripolit, ishte cak i sulmeve ajrore.

    Qendra ku ndodhi sulmi është nën kontrollin e forcave besnike të Qeverisë libiane që njihet nga Kombet e Bashkuara.

    Tritoli ka fajësuar për këtë sulm forcat besnike të komandantit libian Khalifa Haftar, forca këto që kontrollojnë pjesët lindore të Libisë. Komandanti Haftar, së bashku me forcat e tij, ka nisur një ofensivë në muajin prill, për të rimarrë kontrollin e kryeqytetit libian, Tripoli.

    Agjencitë e OKB-së dhe grupet humanitare vazhdimisht kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me mbajtjen e mijëra migrantëve dhe refugjatëve në qendra të ndalimit, që gjenden në afërsi të vatrave të luftës në kryeqytetin libian./Rel

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!