Espresso dhe makiato janë pothuajse pija që konsumohet më së shumti tek ne, dhe inflacioni i kohëve të fundit ka prekur edhe ato. Pavarësisht kësaj, çmimi i espressos në Prishtinë dhe Tiranë, del të jetë më i liri në Europë.

Në rrjetet sociale është publikuar një listë me çmimet e espressove në pothuajse të gjitha kryeqendrat europiane. Aty figurojnë edhe tri kryeqytetet me numrin më të madh të shqiptarëve. Që të tri këto kryeqytete, Tirana, Prishtina e Shkupi, ofrojnë çmimin më të lirë në Europë për një espresso, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Në listën me çmimet e espressove në 42 qytetet më të mëdha europiane, Prishtina ndodhet në vendin 40’të, ku një çmimi mesatar i një espresso llogaritet të jetë 90 cent, Shkupi në vendin e 41’të, ku çmimi i espressos është 89 cent, ndërsa Tirana mbanë rekordin për çmim më të volitshëm të pijes më të preferuar, me vetëm 70 cent.

Reklamë

Duhet pasur parasysh, se këto çmime nxjerrin mesataren e çmimeve për shumicën e vendeve ku ofrohet espresso. Sigurisht se në zonën më elitare të kafiterive të Prishtinës, Tiranës apo Shkupit, një espresso mund të shërbehet edhe me çmim prej 1 euro e 20 cent.

Ndërsa, në krye të kësaj liste, për çmimet më të larta të espressos, janë kryeqytetet e Danimarkës dhe Zvicrës, Kopenhagë dhe Bern, ku një kafe shërbehet me 4 euro. /Reporteri.net