×
  • Lajme
  • Lajme

    Staroviç: Më shumë se 100 shtete tani nuk e njohin Kosovë, njohjet ua kemi zbritur nën 90

    Reporteri
    16 Shtator 2022 | 11:42

    Fushata ndërkombëtare serbe për çnjohje të pavarësisë së Kosovës e pati detyruar ish-kryeministrin Ramush Haradinaj të vendos taksë qind për qind ndaj produkteve serbe, por qeverinë Kurti II përveç se nuk e detyron as të reagojë, ata nuk kthejnë as përgjigje për media në pyetjet rreth kësaj çështje, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në seancën parlamentare ku po diskutohej dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ai tha se në sirtar e ka edhe çnjohjen e tetë. Deputetëve ai iu tha se çnjohjet i ka në Ministrinë e Jashtme të Serbisë.

    Zv/ministri i jashtëm kosovar, Kreshnik Ahmeti, kohëve të fundit e dha një konstatim se për faktin se nuk janë publikuar emrat e shteteve çnjohëse rrjedhimisht edhe nuk ka asnjë çnjohje. Këtë ai ia tha agjencisë kosovare të lajmeve Kosovapress.

    “E pasuksesshme”, sipas tij, “është fushata e Serbisë për çnjohje të Kosovës”. Asgjë të vërtetë, kishte shtuar ai, nuk ka nga ajo çfarë thonë autoritetet serbe për këtë gjë.

    Përveç se njohje të reja nuk ka në këtë qeveri – që nga koha e ish-kryeministrit Hoti kur konkludoi Marrëveshjen e Uashingtonit në Shtëpinë e Bardhë dhe u përcoll me njohje nga Izraeli – politikës së jashtme kosovare nuk i është ndjerë as pulsi.

    Ish-kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj, ditë më parë e quajti “politikë të jashtme në rënie të lirë”.

    Këtë të premte sekretari i ministrisë së jashtme serbe, Nemanja Staroviç, tha se Serbia për një kohë të shkurtër, që nga ndërprerja e moratoriumit njëvjeçar të Marrëveshjes së Uashingtonit, ka siguruar shtatë çnjohje të Kosovës dhe të tetën e ka në pritje.

    Për herë të parë, tha ai, ka më shumë shtete në OKB që nuk e njohin Kosovën se sa që e njohin.

    Sipas tij, që nga fundi i vitit 2017 kur Surinami për herë të parë çnjohu Kosovën, Serbia i siguroi 18 çnjohje, derisa tani, pretendojnë se ia kanë shtuar edhe shtatë të reja, që, sipas tyre, do të përbënin 25 çnjohje.

    “Ne po vazhdojmë fushatën çnjohëse dhe në këtë periudhë të shkurtër kohore, në vetëm pak muaj kohë, përveç 18 çnjohjeve paraprake, ne ia dolëm të sigurojmë edhe shtatë më shumë”, ka thënë për Tv Happy, Nemanja Staroviç.

    “Pas Surinamit, në më pak se tri vite ne kishim 18 shtete që tërhoqën njihjen, dhe u ndalua më shtator 2020 kur hyri në fuqi moratoriumi në pajtim me Marrëveshjen e Uashingtonit, dhe ndërmorrën pezullimin e fushatës, derisa Prishtina zotohej të mos aplikonte në organizata ndërkombëtare”.

    “Moratoriumi ka skaduar, ne ishim të gatshëm ta zgjasim, por nuk kishte vullnet të mirë nga Prishtina. Këtë pranverë, ata vendosën ta thenin atë dhe të aplikonin për Këshill të Evropës, dhe që nga atëherë, ai moratorium nuk është më në fuqi”, ka thënë mes tjerash ky zyrtar serb.

    Presidenti i Serbisë ka thënë se çnjohjet do t’i bëjë të ditura kur “kjo gjë të jetë e mençur”, por se i siguroi deputetët serbë se ato janë aty, “në sirtar”, dhe se ka “kopje të atyre çnjohjeve” të cilët deputetë mund t’i shihnin.

    Kosova i ka bërë dy vite që nuk ka më asnjë njohje të re, derisa qeveria aktuale e Kosovës krekoset se ka rregulluar imazhin e vendit ndërkombëtarisht. /Reporteri.net/.

    Vuçiç: Tetë çnjohje të Kosovës në një kohë të shkurtër, po presim momentin t’i bëjmë të ditura

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!