Gjatë ditës, një nga mediat serbet që kontrollohen nga Presidenti Vuçiq, u raportua se dy organizata, veçse janë në proces të përpilimit të statutit të Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë.
Këto lajme i kanë përgënjeshtruar vetë organizatat, duke thënë se ata as nuk u pyetën nga gazetat, të cilat e publikuan artikullin.
Friedrich-Ebert-Stiftung dhe Instituti Evropian për Paqe e kanë përgënjeshtruar lajmin e “Veçernje Novosti” të publikuar sot ku thuhet se këto dy organizata janë mandatuar për të punuar në statutin e Asociacionit të Komunave Serbe.
“Dy organizatat tona nuk kanë pranuar kërkesë apo mandate nga i Dërguari Special i BE-së, Miroslav Lajçak, Qeveria e Gjermanisë apo ndonjë palë tjetër për t’u marrë me këtë statut”, thuhet në njoftim.
“Diskutimet tona ishin të brendshme, duke përdorur informata të qasshme publike me tema për interesin publik, që është e drejtë e posaçme e shoqërisë civile”.
“Na vjen keq që asnjëra nga organizatat tona nuk është konsultuar për publikimin e këtij artikulli”.
Media serbe që kontrollohet nga Vuçiq: Dy OJQ të huaja po hartojnë statutin e Asociacionit
Më herët, këtë raportim e ka përgënjeshtruar edhe kryenegociatori kosovar në Dialogun me Serbinë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Ai ka thënë se në Serbi mund të hartohen drafte të tilla, por janë të pavlera ngase nuk janë vendime zyrtare të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Unë jam zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës dhe nuk mund të kontrolloj se çfarë bëjnë OJQ-të në Serbi. Ata mund të hartojnë vendime, drafte, por ato nuk janë vendime zyrtare të Qeverisë së Kosovës dhe si të tilla i shohim të pavlera”, tha Bislimi në konferencën për media.
Bislimi për raportimet se në Beograd po hartohet statuti i Asociacionit: Janë drafte të pavlera