Autor: Xhezair Dashi
Një nga oponentët më të mëdhenj të çështjes së demarkimit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi ishte Lëvizja Vetëvendosje.
Demarkacioni me Malin e Zi, Kuvendin e Kosovës e kishte shndërruar në skena të filmit “Apocalypse Now” me gazlotësjellës e bllokadë të punës së Kuvendit.
Tash në pushtet, megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje, e ka hequr nga fjalori i saj këtë çështje tejet të kontestuar dikur.
Megjithatë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në qershor të këtij viti, tha shkurtazi se “Qeveria e Malit të Zi duhet të reflektojë” dhe se pret që bashkërisht të krijohen komisione për rishikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit. “Duhen korrigjuar gabimet”, u shpreh kryeministri.
“Besoj se edhe qeveria e Malit të Zi do të reflektojë. Tani duhet të koordinohemi me palën malazeze për aktivitetet e mëtejme, ne do të bisedojmë me ta dhe në momentin e duhur do të veprojmë. Jemi të gatshëm dhe në pritje”.
Sipas përgjigjes së tij, kjo çështje është kryer me sukses, dhe është mirë që është bërë ashtu.
“Unë jam nënshkrues i asaj marrëveshje si Ministër i Brendshëm i Malit të Zi në atë kohë. Mendoj se është shumë mirë që Mali i Zi dhe Kosova e kanë kryer këtë punë të rëndësishme si pjesë të agjendës së tyre evropiane”, thotë ai në një përgjigje për Reporteri.net.
“Ajo marrëveshje është konfirmuar nga institucionet përgjegjëse të të dyja vendeve, dhe mendoj se në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore, e në mënyrë profesionale, ne e kemi përfunduar këtë detyrë evropiane në mënyrë të përgjegjshme dhe në interes të të dyja vendeve. Kjo gjë është konfirmuar edhe partnerët tonë të ndërsjellë ndërkombëtarë”, ka treguar ai.
Çështja e kontestuar e demarkimit kufitar
Çështja e demarkimit të linjës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi kishte prodhuar një nga betejat më të ashpra politike në vend. Jo në mes të dy shteteve, por brenda Kosovës, opozitë versus pozitë.
Bisedimet e para Prishtinë-Podgoricë kishin nisur në vitin 2009 derisa në vitin 2012 komisionet shtetërore për demakrim kishin nisur takimet.
Delimitimi i kufirit do të bëhej sipas Kushteutës jugosllave të vitit 1974, Propozimin e Përgjithshëm për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës ndryshe i njohur si Plani i Marti Ahtisaari-t dhe Kushtetutën e Kosovës.
Rashko Konjeviç, atëbotë ministër i brendshëm i Malit të Zi, konfirmonte se Marrëveshja për Demarkacion do të bëhej në përputhje me linjën kufitare të 1974’ës, dhe se asnjëra palë s’do të humbiste asgjë.
Mali i Zi do t’i bënte dy demarkime njëherazi, me Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën, para anëtarësimit të saj në NATO në vitin 2017.
Gjatësia e linjës kufitare 79 kilometërshe mes Kosovës dhe Malit të Zi, ishte çështje që duhej trajtuar. Opozita në Kosovë, argumentonte ashpërsisht për humbjen e 8 mijë e 200 hektarëve tokë.
Argumentimin e Departamentit amerikan të Shtetit se demarkimi ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e 74’ës, Lëvizja Vetëvendosje nuk e konsideronte si dëshmi se Kosova nuk deprivohej nga pjesë e territorit të saj.
NATO dhe Brukseli kërkonin me ngulm nga Kosova që marrëveshja të ratifikohej, e madje ishte bërë edhe një nga parakushtet për liberalizim të vizave.
Moskalimin e saj e quanin detrimentale për kredibilitetin e Kosovës./Reporteri.net/