Rashko Konjeviç: Karakteri civil dhe evropian i Malit të Zi në rrezik, Abazoviç me marrëdhënie koloniale ndaj Serbisë

Ish-zv/kryeministri dhe ish-ministri i mbrojtjes i Malit të Zi, Rashko Konjeviç

Autor: Xhezair Dashi


Janë bërë tashmë dy vite që kur Mali i Zi e ka gjetur veten të tjetërsuar politikisht nga brenda.

Dy qeveri janë rrëzuar, e treta që provon të bëhet, nga rezultati i njëjtë i zgjedhjeve të gushtit 2020, derisa shteti qëndron në vendnumëro.

Kjo e treta, nga dështimi për t’u bërë, ia ka mësyrë ndryshimit të Ligjit për Presidentit, me ç’rast synohet marrja e disa kompetencave kushtetuese nga institucioni i Presidentit, përkatësisht ajo e dhënies së mandatarit për formim të qeverisë.

Partitë sovraniste malaziase e kanë përshkruar si grusht shteti kushtetues nga mazhoranca e vjetër/re e DF-së pro-serbe dhe pro-ruse.

Në këtë konstelacion orbiton edhe kryeministri në mandatin teknik Dritan Abazoviç.

Ish-zv/kryeministri i parë dhe ish-ministri i mbrojtjes në qeverinë e pakicës, Rashko Konjeviç, në një intervistë ekskluzive dhënë për gazetën online Reporteri.net, situatën politike në Mal të Zi, e vlerëson për “krizë të thellë institucionale”.

Dhe jo vetëm blloku pro-serb i DF-së, por me këtë kolaps u pajtuan edhe lëvizja qytetare URA e Dritan Abazoviçit, tregon Rashko Konjeviç.

“Është intencë e qartë e DF-së [Frontit Demokratik] që ta shkelin Kushtetutën, duke miratuar një ligj anti-kushtetues dhe duke e distancuar Malin e Zi nga rruga evropiane”, thotë ish-zv/kryeministri.

Jo pak faj për këtë situatë të krijuar, Konjeviç i atribuon edhe Abazoviçit. “Çka është edhe më marramendëse është se liderët dhe deputetët që votat i fituan për agjendë evropiane dhe civile u pajtuan me këtë kolaps, në rend të parë URA e Dritan Abazoviç”, thotë ai në intervistën për gazetën online Reporteri.net.

Kryeministri në mandatin teknik, Dritan Abazoviç, jo nga pakkush është vështruar në linjë me politika, që për partitë sovraniste, janë desktruktive. Kjo, në rend të parë, DF-ja.

Qeveria e Malit të Zi

“Ishte vetë ai [Abazoviç] që emëroi personelin e DF-së në pozicione kyçe në sektorin e energjisë dhe në disa pozicione të rëndësishme shtetërore”, thotë Konjeviç, derisa shton edhe se “fatkeqësisht, Kryeministri Dritan Abazoviç luan rol kyç në çmontimin e institucioneve vitale shtetërore, duke e ndalur rrugën evropiane dhe marrëdhënia e tij koloniale ndaj Serbisë”.

Një gjëje që Konjeviç i druhet është se “karakteri civil dhe evropian i vendit tonë është në rrezik”.

Gazeta Online Reporteri.net e ka pyetur Konjeviçin edhe për çështjen e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, dhe se a konsideron se kjo çështje duhet të rishikuar.

Konjeviç ishte ministër i brendshëm i Malit të Zi, në kohën e demarkacionit, dhe ishte njëri nga nënshkruesit e marrëveshjes në Vienë, me ish-homologun e atëhershëm kosovar, Skender Hysenin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në qershor të këtij viti, ka lajmëruar se do të formojnë një komision për rishikim të vijës kufitare me Malin e Zi.

“Besoj se edhe qeveria e Malit të Zi duhet të reflektojë”, kishte pohuar Kurti, teksa kërkonte që Mali i Zi të formonte një komision për rishikim të marrëveshjes dhe “korrigjimin e gabimeve”.

Megjithatë, për Rashko Konjeviç, kjo punë është e kryer.

Marrëveshja për kufirin Kosovë-Mali i Zi / 26 gusht 2015

“Ajo marrëveshje është konfirmuar nga institucionet përgjegjëse të të dyja vendeve, dhe mendoj se në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore, e në mënyrë profesionale, ne e kemi përfunduar këtë detyrë evropiane në mënyrë të përgjegjshme dhe në interes të të dyja vendeve”, thotë ai.

Përveç kësaj, kjo marrëveshje, thotë Konjeviç, e ka marrë edhe konfimimit e partnerëve të ndërsjellë ndërkombëtar të Kosovës dhe Malit të Zi.

Intervista e plotë me Rashko Konjeviç dhënë për gazetën online Reporteri.net:

Reporteri.net: Situata e fundit me Ligjin për Presidentin e cila provon t’ia merr disa komptenca kushtetuese Presidentit të Malit të Zi zgjoi protestë masive në Podgoricë. Madje u përshkrua edhe si grusht shtet kushtetues. Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus duket se po shtrëngon dorën e saj në pushtet. Sa e rëndë është situata politike në Mal të Zi?

Konjeviç: Mali i Zi është në një krizë të thellë institucionale, në mënyrë dominante të krijuar nga qeveria që fitoi mazhorancë të hollë (40-41 deputetë), pakëz më shumë se para dy viteve. Është intencë e qartë politike e DF-së që ta shkelin Kushtetutën, duke miratuar një ligj anti-kushtetues dhe distancimin e Malit të Zi nga rruga evropiane. Çka është edhe më marramendëse është se liderët dhe deputetët që votat i fituan për agjendë evropiane dhe civile u pajtuan me këtë kolaps, në rend të parë URA e Dritan Abazoviç.

Reporteri.net: Dritan Abazoviçit iu dha mandati për të formuar qeveri minoritare për hir të vazhdimit të integrimeve evropiane, dhe dështimi i tij për ta bërë këtë ia solli votën e mosbesimit. Derisa Abazoviç siguroi partnerët evropianë se kjo do të ishte prioritet i parë, BE ka shprehur zhgënjim se ai vetëm “tha kështu, por s’bëri kështu”. Në këtë aspekt Mali i Zi humbi edhe një vit të rëndësishëm. A ka qenë, në të vërtetë, Abazoviç i përkushtuar ndaj agjendës evropiane?

Konjeviç: Fatkeqësisht jo. Qeveria e pakicës u formua me obligimin primar për të intensifikuar rrugën evropiane, sepse Mali i Zi pati shans serioz për shkak të krizës globale gjeopolitike, të shkaktuar nga agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës, për të përshpejtuar rrugën e saj evropiane. Në vend të kësaj, si edhe të zhbllokimit të institucioneve shtetërore, Abazoviç prioritet të tij e caktoi Marrëveshjen Themeltare me Kishën Ortodokse Serbe, por edhe marrëdhëniet e tij të çuditshme me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Sot kemi raportin më të keq të Komisionit Evropian që kur Mali i Zi ka nisur procesin e saj të anëtarësimit, dhe në tërë kapitujt theksohet stagnimi ose regresioni.

Reporteri.net: E ashtuquajtura Marrëveshje Themeltare me Kishën Ortodokse Serbe, pavarësisht premtimeve se do t’i nënshtrohej analizës shkencore dhe shkollore, e madje edhe debatit publik, u nënshkrua pa paralajmërim, pa e ditur kush e larg syve të publikut. A është kjo “njollë” në demokracinë malazeze?

Konjeviç: Sigurisht se është, pasi që një gamë e gjerë përfaqësuesish të komunitetit shkencor, intelektualëve të pavarur, përfaqësues të sektorit të shoqërisë civile, shprehën një numër të madh kundërshtimesh ndaj vetë tekstit dhe frymës së marrëveshjes. Dhe thelbi i saj është desekularizimi i Malit të Zi dhe përvetësimi i trashëgimisë së pasur kulturore, historike dhe shpirtërore e Malit të Zi. Në këtë mënyrë, Kryeministri Abazoviç dhe ministrat besnikë ndaj tij i dhanë një shuplakë të mprehtë Malit të Zi civil dhe multi-etnik. Ne jemi të biundur se Qeveria e re dhe Gjykata Kushtetuese, kur të zhbllokohet me zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj, do të ketë qëndrim të qartë profesional dhe ligjor ndaj dispozitave antikushtetuese dhe të paligjshme të kësaj kontrate. Si një ilustrim të thjeshtë se si kjo u bë është fakti se kontrata mbi bartjen e tërë trashëgimisë së shenjtë të Malit të Zi u nënshkrua pothuajse në fshehtësi, se kreu i Kishës Ortodokse Serbe erdhi me helikopter pa lajmëruar askënd dhe askush nuk ishte i pranishëm në dhomë përveç Abazoviçit dhe disa ministrave dhe klerëve të Kishës Ortodokse Serbe.

Ish-Zv/kryeministri i parë dhe ish-ministri i mbrojtjes i Malit të Zi, Rashko Konjeviç

Reporteri.net: Është bërë tanimë një kohë që komentues të ndryshëm politikë disa prej politikave në Mal të Zi i shohin në sferën e lojës së interesave mbarë-serbe, dhe Abazoviç, përveç DF-së, nuk është kursyer në të qënit identifikuar si një lojtar i konsiderueshëm në këtë aspekt. A po vihet në dyshim karakteri malazias i Malit të Zi?

Konjeviç: Karakteri civil dhe evropian i vendit tonë është në rrezik. Fatkeqësisht, Kryeministri Dritan Abazoviç luan rol kyç në çmontimin e institucioneve vitale shtetërore, duke e ndalur rrugën evropiane dhe marrëdhënia e tij koloniale ndaj Serbisë. Ishte vetë ai që emëroi personelin e DF-së në pozicione kyçe në sektorin e energjisë dhe në disa pozicione të rëndësishme shtetërore. Dhe ju jeni të qartë për marrëdhëniet mes DF-së dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Kjo është arsyeja se pse kjo gjeneratë politikanësh të Malit të Zi e ka për detyrë të rikthejë vendin në rrugë evropiane. Dhe të rinojë besimin e qytetarëve në fuqinë e institucioneve.

Reporteri.net: Mali i Zi, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina denoncojnë Serbinë se po shkakton destabilitet në vendet e tyre. Ne në Kosovë, në veçanti, jemi dëshmitar të dorës së parë për këtë, marrë parasysh situatën në pjesën veriore të Kosovës. Në anën tjetër, presidenti serb Vuçiç, flet melankolikisht në mediat që ka ndikim atje për një konspiracion të koordinuar anti-serb në Prishtinë, Podgoricë, Sarajevë e madje edhe Zagreb. Si e vlerësoni ju këtë?

Konjeviç: Është e qartë se udhëheqësia politike e Serbisë destabilizon disa vende të rajonit, të cilën ne në Mal të Zi fatkeqësisht e kemi ndjerë përmes një fushate intensive këto vitet e fundit. Dhjetëra mijëra tekste ku Mali i Zi dhe malaziasit portretizohen në mënyrat më të këqija të mundshme, komentimi pothuajse i çdoditshëm i situatës politike dhe agjenda e qartë e Kishës Ortodokse Serbe në vendin tonë, kanë arritur të shtrembërojnë percepsionin e publikut deri në atë masë sa që e vërteta s’dallohet më dot nga gënjeshtrat. Partnerët tanë evropianë dhe euro-atlantikë duhet të kenë përgjigje të qartë ndaj një lloj sjelljeje të tillë, e cila më së shpeshti përmes projektit të ‘Botës Serbe’ na kujton “Paqen Ruse” që muajve të fundit po e shohim “të realizohet” në Ukrainë këto muaj.

Reporteri.net: Me thirrjen e Aleksandar Vuçiç të gjithë serbët e pjesës veriore të Kosovës lëshuan institucionet, dhe arsyeja e tyre dhënë për këtë është vendimi i qeverisë kosovare për të shtrirë sovranitetin trafikor në atë pjesë. Si keni parë një lëvizje të tillë.

Konjeviç: Nuk do t’i jepja vetes të drejtë të komentoja punët e brendshme të shteteve fqinjve, ashtu njëjtë sikur nuk dua që dikush të merret me çështjet politike të vendit tim në baza ditore. E vetmja dëshirë e ime është një zgjidhje paqësore, e shëndetshme dhe e qëndrueshme për një kohë të gjatë mes Kosovës dhe Serbisë. Mali i Zi e ka treguar qëndrimin e saj për këtë qysh në vitin 2008.

Reporteri.net: Kosova, gati se njëjtë me Malin e Zi, e refuzon idenë e Ballkanit të Hapur, duke argumentuar se konsolidon hegjemoninë serbe në rajon, por edhe për shkak se Serbia vazhdon të mirëmbajë vështrimin e saj për Kosovën si pjes të saj. Qartazi, edhe Mali i Zi i ndan disa nga këto brenga. Çfarë është Ballkani i Hapur, përnjëmend, dhe çfarë është vlerësimi juaj për të?

Konjeviç: Simbas kuptimit tonë, Ballkani i Hapur është zëvendësim i perspektivës evropiane për vendet e rajonit, gjë që është e papranueshme për ne. Nuk ka pothuajse asnjë aspekt pozitiv për Malin e Zi që të futet në këtë iniciativë bashkëpunimi rajonal, të cilën një pjesë e publikut e percepton edhe si zëvendësim të ideve të reja për Serbi të Madhe, vetëm se në mënyra të ndryshme. Sistemi i ynë ekonomik duhet të adoptohet me sistemin e BE-së në të cilin aspirojnë të gjitha vendet, dhe jo në një proces nebuloz i cili qysh në fillim përfaqëson vetëm supremaci të njërës nga shtetet mbi të tjerët në rajon. Miqtë tanë ndërkombëtarë gjithashtu, edhe atë më shumë se njëherë, kanë bërë të ditur se një asocim ose bashkëpunim i tilllë mund të jetë i suksesshëm vetëm atëherë të gjitha vendet e rajonit janë të përfshira në baza të barabarta, dhe nëse gjysma e tyre nuk janë, atëherë as ajo nuk është.

Reporteri.net: Dhe, në fund, a konsideroni se linja e demarkimit mes Kosovës dhe Malit të Zi, që në të kaluarën shkëndijoi debat të ashpër brenda Kosovës, duhet të rishikohet?

Demarkimi i kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi

Konjeviç: Unë jam nënshkrues i asaj marrëveshje si Ministër i Brendshëm i Malit të Zi në atë kohë. Mendoj se është shumë mirë që Mali i Zi dhe Kosova e kanë kryer këtë punë të rëndësishme si pjesë të agjendës së tyre evropiane. Ajo marrëveshje është konfirmuar nga institucionet përgjegjëse të të dyja vendeve, dhe mendoj se në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore, e në mënyrë profesionale, ne e kemi përfunduar këtë detyrë evropiane në mënyrë të përgjegjshme dhe në interes të të dyja vendeve. Kjo gjë është konfirmuar edhe partnerët tonë të ndërsjellë ndërkombëtarë. /Reporteri.net/.