Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në mediumin austriak “Der Standard”, ka folur edhe njëherë mbi themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një pyetje që Kurtit po i bëhet shpesh.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon formimin e Asociacionit mbi baza etnike, dhe për këtë ka cituar edhe planin e Ahtisaarit, ku theksohet se “Kosova duhet të jetë shoqëri multietnike”, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

Tutje, Kurti parashtroi edhe pyetjen se pse marrëveshja e Ahtisaarit nuk po del të jetë e mjaftueshme, pasi sipas tij, kjo marrëveshje i mbron tej mase serbët në Kosovë.

Reklamë

“Kushtetuta jonë nuk lejon shoqata të bazuara në kritere etnike, sepse paragrafi i parë i planit të Ahtisaarit thotë: Kosova duhet të jetë shoqëri multietnike. Pra mund të kërkohet bashkim përgjatë maleve të Rugovës apo maleve të Sharrit, por ai nuk duhet të bazohet në identitet kombëtar. Pyes veten edhe pse marrëveshja e Ahtisaarit nuk duhet të jetë e mjaftueshme – ajo përmban shumë mbrojtje të pakicave për serbët. Kur bëhet fjalë për Asociacionin serb të Komunave, dua t’i referohem edhe Bosnje-Hercegovinës. Më 26 prill 1991, 14 komuna me shumicë serbe atje u bashkuan dhe themeluan një shoqatë; më 9 janar 1992 shpallën pavarësinë dhe më 28 shkurt 1992 miratuan kushtetutën, më 14 shkurt 1992”, ka deklaruar Kurti për mediumin austriak.

Foto: APA

Kryeministri Kurti ka ripërsëritur përshtypjen e tij se presidenti serb Vuçiq praktikisht nuk e dëshiron formimin e Asociacionit.

Kur bëhet fjalë për të drejtat e serbëve në Kosovë, Kurti tha se e ka parasysh, dhe se për këtë do t’i ofrojë hapësirë Serbisë për ndonjë propozim si të zgjidhet kjo problematikë, kur t’i vije koha.

“Vuçiqit i thashë se kam krijuar përshtypjen se ai nuk e dëshiron asociacionin e komunave, sepse nuk mund të duash asociacion të komunave dhe të thuash çdo javë: Nuk do ta njoh shtetin e Kosovës. Ju nuk mund të shërbeni një makiato kafeje pa një filxhan kafeje. Por, të drejtat e pakicave janë një pjesë shumë e rëndësishme e normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë. Pra, kur të arrijmë në atë pikë, Serbia mund të bëjë një propozim se si ta zgjidhë atë. Po kështu do të mund të bëjmë propozime për çështje që i konsiderojmë të rëndësishme për pakicat në Serbi”, ka deklaruar ai.

Chollet: Në veri ka vakum sigurie, urgjentisht të krijohet Asociacioni

Reklamë

Në anën tjetër, Këshilltari i Lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka deklaruar se themelimi i Asociacionit është urgjencë, dhe se kjo është nënvizuar edhe pas zhvillimeve të fundit.

“Ne besojmë që ky dialog është mjeti më i mirë për Kosovën që të sigurojë të ardhmen e vetë të plotë euroatlantike. Dhe presim nga Kosova t’i plotësojë të gjitha obligimet e saj nën dialog që përfshinë themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe. Ne mendojmë që kjo është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Mendojmë që zhvillimet e fundit vetëm sa e kanë theksuar rëndësinë e themelimit të tij”.

Chollet ka theksuar se ShBA nuk e përkrah një asociacion si Republika Serbe, por asociacion në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Reklamë

“Ne presim nga Qeveria e Kosovës të paraqesë disa propozime në tavolinë. Dua ta bëj të qartë që ne nuk e përkrahim dhe nuk do ta përkrahim aranzhime si ato të Republikës Serbe dhe nuk po i kërkojmë Kosovës të përkrahë çfarëdo aranzhimi që nuk është në përputhje me Kushtetutën e vet dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar, Marrëveshja e Brukselit – Gjykata Kushtetuese ka vendosur që është e domosdoshme të themelohet komuniteti i komunave me shumicë serbe dhe që ne besojmë që formimin e tij e bën ligjërisht obliguese për Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Chollet. /Reporteri.net/.