×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Tri ligjet e mbetura në Kushtetuese po zvarriten, jam i shqetësuar për vendimet që do vinë

    Reporteri
    30 Mars 2023 | 21:28
    Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka komentuar vendimet e opozitës për t’i dërguar ligjet në Gjykatën Kushtetuese, pas vendimit të kësaj të fundit për ta hedhur poshtë njërin prej tyre, atë të KPK-së.

    Ai u shpreh i shqetësuar për fatin e tri ligjeve të tjera që aktualisht janë në Kushtetuese, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Mua më vjen shumë keq që Ligji për masat e përkohshme, për kufizimin e çmimeve të produkteve bazë, është në Gjykatën Kushtetuese. LDK-ja e ka dërguar në Gjykatë këtë ligj. Dhe nëse ka diçka që aktualisht si kryeministër jam më i brengosuri në qeverisjen që e kemi, janë këto tri ligjet e mbetura në Gjykatën Kushtetuese që po zvarriten dhe për të cilët jam shumë i shqetësuar për vendimet që do të vijnë duke pasur parasysh këtë për KPK-në”, tha Kurti në Klan Kosova.

    Kurti deri diku e arsyetoi rritjen e çmimeve në Kosovë pikërisht me vendimin e LDK-së për ta dërguar në Kushtetuese ligjin për çmimin tavan.

    “Po ta kishim Ligjin për tavanin e çmimeve, që nuk çohet në Gjykatën Kushtetuese siç ndodhi, sot nuk do t’i kishim këto çmime të larta. Tash le ta vlerësojmë edhe këtë aspekt. Unë vetëm po dua të them që le të jetë aspekti normativ, por edhe ai i dobisë. Nëse ankohemi për çmime të larta, e kemi një Ligj që pret të trajtohet në Kushtetuese për t’iu vënë tavanin të gjitha këtyre produkteve bazë”, tha ai tutje.

    Ndërsa sa i përket ligjit për Këshillin Prokurorial, që Kushtetuesja konsistoi se e shkel Kushtetutën, shefi i ekzekutivit tha se ky ligj dy herë është miratuar nga Komisioni i Venecias.

    “Si ta di unë që do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese një ligj që e ka kaluar dy herë Komisionin e Venecias, i cili është dakorduar me SHBA-në, BE-në, Britaninë, me shoqërinë civile, dhe nuk mjafton komisioni i Venecias, por vjen e rrëzohet këtu në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Kurti. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!