Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, se çmimet në Kosovë nuk po mund të mbahen nën kontroll pasi LDK-ja dërgoi ligjin për çmime tavan në Gjykatën Kushtetuese.
Hoti e konsideroi “naive” qasjen e kryeministrit Kurti, pasi tha se inflacioni nuk mund të luftohet me ligje, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ai tha se, po të ishte kaq e thjeshtë, edhe shtetet tjera nëpër botë do ta praktikonin këtë zgjidhje.
“Është shumë naive të interpretohet në këtë mënyrë rritja e çmimeve. Po të ishte që inflacionin të luftohet me ligje për çmime tavan, sigurisht që të gjitha vendet e BE-së dhe vendet e tjera demokratike nëpër botë që janë përballë me inflacion, do të kishin ndërmarrë veprime të tilla, do kishin miratu një ligj për t’i kufizu çmimet. Por kjo funksionon në ekonominë e tregut”, deklaroi Hoti në Klan Kosova.
Deputeti opozitar tregoi disa nga masat e ndërmarra nga shtetet tjera, që thotë se Kosova duhet t’i konsiderojë po ashtu.
“Këto masa tregojnë mentalitetin e tij të sistemeve të kaluara. Nuk luftohet inflacioni me ligje. Inflacioni luftohet siç kanë ndërmarrë vendet tjera. I kanë indeksu të ardhurat, pensionet, pagat, u kanë ndihmu qytetarëve, i kanë rishiku ngarkesat e ndryshme tatimore”.
“Kjo qeveri nuk ka ndërmarrë asnjë gjë për të zbut ndikim te qytetarët”, përfundoi deputeti.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, prej kohësh thotë se në Kosovë ka rritje ekonomike qysh prej ardhjes së tij në Qeveri.
I njëjti tha sot në Klan Kosova se rritja e çmimeve të produkteve bazë ka ndodhur pjesërisht si pasojë e pamundësisë së miratimit të projektligjit për vendosjen e çmimit tavan, të cilin opozita e ka dërguar në Kushtetuese.
“Po ta kishim Ligjin për tavanin e çmimeve, që nuk çohet në Gjykatën Kushtetuese siç ndodhi, sot nuk do t’i kishim këto çmime të larta”, deklaroi shefi i ekzekutivit. /Reporteri.net/.
Çitaku: Kryeministri po flet për rritje ekonomike sikur mos me jetu në Kosovë