Lidhja Demokratike e Kosovës në njoftimin e fundit për medie thotë se me përgjimet e fundit të publikuara sot, ku përfshihet shefja e Grupit Parlamentar të VV’së, Mimoza Kusari-Lila, kanë rënë maskat dhe bashkë me to edhe perdja e populizmit.
LDK-ja thotë se këto përgjime treguan hipokrizinë e thellë të pushtetit, ku sipas tyre po koordinohet e bashkëvepron me njerëz që janë të lidhur me krimin.
“Për të vërteten dhe faktimin e saj, ne shprehim mirënjohjen. Për gjendjen e rëndë të politikëbërjes në Kosovë, LDK -ja shpreh shqetësimim më të thellë.Sepse, koordinimi i aktiviteteve politike në vend, sikurse dhe komunikimi me një person me urdhërarrest e në listë të zezë të SHBA-ve, cënon rëndë sigurinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.
Njoftimi i plotë:
Maskat ranë. Me to dhe perdja e populizmit. Përgjimet e publikuara sot në mediet kosovare, shpërfaqin sheshazi hipokrizinë e thellë të pushtetit populist. Kjo hipokrizi, tashmë standard veprues i partisë në pushtet, që në njërën anë kontakton, koordinon e bashkëvepron me njerëz të lidhur me krimin, e në anën tjetër akuzon të tjerët për një gjë të tillë, shpërfaq gjendjen alarmante të politikëbërjes në vend.
Për të vërteten dhe faktimin e saj, ne shprehim mirënjohjen. Për gjendjen e rëndë të politikëbërjes në Kosovë, LDK -ja shpreh shqetësimim më të thellë.
Sepse, koordinimi i aktiviteteve politike në vend, sikurse dhe komunikimi me një person me urdhërarrest e në listë të zezë të SHBA-ve, cënon rëndë sigurinë e Republikës së Kosovës.
LDK-ja do të përcjellë në vijim zhvillimet mbi këtë temë.
LDK – Zyra për Informim