Pas rrahjes në mes të ministrave e deputetëve të pushtetit me ata të PDK-së, dy ministrat e pushtetit Albulena Haxhiu e Hekuran Murati, që të dy të përfshirë në përleshje, kanë komentuar pak.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka thënë beson që “veprimet e bandave në Kuvend të Kosovës i kemi parë”.
“Besoj që veprimet e bandave në Kuvend të Kosovës i kemi parë, prandaj edhe ato mjaftojnë”, ka thënë Haxhiu.
Njësoj nuk ka komentuar as ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Po besoj i keni parë të gjitha, keni qenë aty”, është shprehur Murati, duke u larguar.
Deputetë e ministra të Qeverisë u përfshinë sot në një përleshje në Kuvendin e Kosovës, në momentin kur kryeministri Kurti po mbante fjalim.
Përplasja ka nisur në kohën kur deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, është afruar ta lagë me ujë kryeministrin Kurti.
Në atë moment zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka goditur atë me shishe të ujit në fytyrë.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka urdhëruar Policinë që të ndërhyjë dhe seanca është ndërprerë menjëherë.
Ndërkohë që sigurimi i Kuvendit e ka rrethuar në mbrojtje Kryeministrin Kurti.