Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka thotë se rënia e investime të huaja direkte në Kosovë është pashmangshëm pasojë e perceptimit të krijuar se vendi nuk ofron stabilitet e vuan nga pasiguria juridike, gjë që çdo investitor sikurse thotë ai, do ta shmangte me çdo kusht.
Ai ka theksuar nevojën e arritjes së një marrëveshje normalizimi me Serbinë, që do të sillte për pasojë edhe normalizim të marrëdhënieve ekonomike mes dy vende.
“Por megjithatë duket se këto përpjekje tonat, përpjekjet e qeverisë aktuale, të gjitha përpjekjet e qeverive të kaluara, nuk po arrijnë të krijojnë rezultate pozive për shkak të këtyre problemeve të hapura, që ne i kemi me fshinjët tanë, në radhë të parë me Serbinë. Natyrisht edhe mungesën e funksionalizimit të shtetit dhe fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar, për shkak të mos njohjeve nga shtete kyçe, anëtare të BE-së dhe po ashtu institucione dhe organizata ndërkombëtare”, deklaroi ai për Zërin e Amerikës.
Zeka shton se ajo çka është e rëndësishme aktualisht dhe në kushtet kur bota është përfshirë nga një konflikt i ri, është që vëmendja e Shteteve të Bashkuara tek Ballkani, e Kosova në veçanti, të mos mungojë.
“Pra edhe njëherë e përsëris, se pavarësisht asaj që mund të ndodhë në vatrat e tjera të krizës anëmbanë botës, Ballkani nuk duhet të humbas vëmendjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”.